Avokati i Popullit: Një proces i rregullt zgjedhor po zhvillohet

Avokati i Popullit, Naim Qela, ka thënë se deri tani ka qenë një ditë e qetë sa i përket zhvillimit të procesit zgjedhor.

Qela në Klan Kosova ka deklaruar se Kosova është një shembull i mirë edhe për vendet e rajonit sa i përket organizimit të zgjedhjeve.

“Zyret e Avokatit të Popullit sot janë të hapura, qëllimi ka qenë monitorimi i zgjedhjeve prej perspektivës së respektimit të të drejtave të njeriut. Ne prej fillimit e kemi monitoruar procesin zgjedhor duke filluar nga fushata parazgjedhore, fushata dhe sot ditën e zgjedhjeve”.

“Mundem ta vlerësojë si një ditë të qetë përgjithësisht janë duke ecur mirë punët. Është për t’u vlerësuar kultura e lartë që është duke u treguar nga qytetarët e vendit në këtë ditë. Po ashtu ka edhe organizim të mirë nga institucionet që e kanë për obligim. Edhe këtë radhë po mendoj se jemi shembull në rajon për mënyrën e mirë të përgatitjes së procesit zgjedhor dhe formës shumë të rregullt të zhvillimit të procesit zgjedhor”, ka thënë Qela.

Ai ka theksuar se gjatë ditës së sotme nuk janë respektuar shumë masat kundër COVID-19.