Mediet ndërkombëtare raportojnë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë

Kosova po voton sot për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, më pak se një vit e gjysmë nga zgjedhjet e fundit.

Zgjedhjet po mbahen edhe mes pandemisë së coronavirusit që ka prekur më shumë se 64 mijë persona në vend, si dhe ka lënë të vdekur më shumë 1,500 prej tyre.

Lidhur me këtë rast kanë raportuar edhe shumë prej mediumeve ndërkombëtare, përfshirë Reuters, AP, France24, EuroNews dhe Al Jazeera.

Në këto zgjedhje të parakohshme në garën zgjedhore marrin pjesë 21 parti politike, 2 koalicione dhe 5 iniciativa qytetare.

Agjencia e lajmeve Reuters, i referohet zgjedhjeve parlamentare në vend me titull, “Kosova voton në zgjedhjet që mund të komplikojnë dialogun me Serbinë”.

“Brezi i ri përballet me ‘gardianin e vjetër’ në zgjedhjet e Kosovës”, është Al Jazeera ajo që ‘pagëzoi’ artikullin me këtë titull duke iu referuar zgjedhjeve në Kosovë.

Agjencia e lajmeve “Associated Press” , gjithashtu raportoi për sa i përket zgjedhjeve parlamentare në Kosovë me titull, “Kosova voton për parlament të ri mes pandemisë”.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit të drejtë vote kanë 1,794,862 qytetarë, ndërsa numri i Qendrave të Votimit në të gjithë Kosovën është 888, me gjithsej 2 mijë e 382 vendvotime. /Telegrafi/