Djali i Thaçit dyshohet se shkeli Kodin e Mirësjelljes për subjektet politike, maskë me logo të PDK-së

Djali ish-presidenti të Kosovës Hashim Thaçit, Endrit Thaçi, është shfaqur në qendër të votimit me shenja të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Thaçi, në vendvotimin e tij në Prishtinë, është shfaqur duke mbajtur një maskë, si masë mbrojtëse nga COVID-19, në të cilën vërehej logoja e PDK-së.

Një veprim i tillë përbën shkelje të Rregullës zgjedhore nr. 11/2013 Kodi i mirësjelljes për subjektet politike, mbështetësit e tyre dhe kandidatët, neni 7 i të cilit parasheh se “gjatë periudhës njëzet e katër orëshe (24) para hapjes së Qendrave të Votimit për hedhjen e votës e deri në mbylljen e tyre, subjekteve politike, mbështetësve ose kandidatëve të tyre u ndalohet secili prej veprimeve si më poshtë:  a) shpërndarja ose shfaqja në mënyrë tjetër në ndonjërën nga Qendrat e Votimit, ose 100 metra brenda Qendrës së Votimit, hapësirës së të njëjtës, e çfarëdo lloj materiali me qëllim ndikimi tek votuesit; ose të sigurojnë mbështetjen nga personat që presin për të votuar në vendvotime ose qendra të votimit […]”.

Ndërsa, për hyrje në vendvotim, i njëjti është detyruar ta ndërrojë maskën duke vendosur maskë që nuk përmban logo të ndonjë partie. /BetimipërDrejtësi