KPM-ja tregon se cili kandidat e shkeli heshtjen zgjedhore gjatë fjalimit

Kandidat i PDK-së për kryeministër, Enver Hoxhaj, pasi votoi në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë, pati një prononcim për media, gjatë së cilit është cilësuar se shkeli rregullin e heshtjes zgjedhore, ku përmendi elemente që i shfrytëzonte edhe gjatë fushatës së tij elektorale.

Këtë e konfirmoi edhe Luan Latifi nga Komisioni i Pavarur për Media, i cili tha se çështja e heshtjes zgjedhore ka të bëjë me evitimin e publikimit të elementeve që janë përdorur në fushatë zgjedhore, siç janë slloganët e motot identifikuese.

“Këto nuk lejohen. Të bëhet fushatë elektorale në kohë të heshtjes zgjedhore mendoj se nuk i bën nder as partisë politike dhe as procesit zgjedhor”, u shpreh Latifi në studio të Klan Kosovës.