Demokracia Plus e vlerëson të rregullt procesin zgjedhor

Përveç vonesave deri në 30 minuta për hapjen e qendrave të votimit, nuk ka pasur të tjera parregullsi gjatë tri orëve të procesit zgjedhor në vend.

Këtë e ka konfirmuar Albert Krasniqi nga Demokracia Plus gjatë intervistës në “Radio Prishtina”.

"Nuk ka pasur ndonjë parregullsi përveç vonesave 15-30 minuta të hapjeve të qendrave të vendvotimeve", ka thënë ai.

Krasniqi gjithashtu bëri të ditur se ka një fluks më të vogël të votueseve.

“Është vërejtur një numër më i vogël i qytetarëve të cilët kanë dalë për të votuar në krahasim me zgjedhjet e kaluara dhe kjo po ndodh për shkak të motit dhe mospastrimit të rrugëve", u shpreh ai.

Krasniqi u bëri thirrje të gjithë qytetareve që të dalin dhe të votojnë dhe t’i respektojnë të gjitha masat anti-COVID.

Demokracia Plus ka në dispozicion 20 vëzhgues, si dhe një grup vullnetarësh të cilët kanë dashur t’i japin këshillat dhe rekomandimet e tyre për procesin zgjedhor nga terreni. /Zëri