KQZ-ja thotë se 30 mijë vëzhgues po e përcjellin procesin

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka mbajtur konferencën e parë të zgjedhjeve.

Ai ka njoftuar se procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare është duke u zhvilluar me rregull dhe se të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë.

Qendrat e votimit u hapën në ora 07:00 dhe do të mbyllen në ora 19:00.

Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 1.794.862 qytetarë, të cilët do të mund të votojnë në 888 qendra të votimit, me 2.382 vendvotime në 38 komunat e Kosovës. Këtë vit, KQZ-ja ka larguar nga lista e votuesve rreth 122.000 persona, të cilët kanë qenë të regjistruar vetëm me dokumente të UNMIK-ut. Në këto zgjedhjet është thënë se do të votohet vetëm me dokumente të Kosovës.

Elezi tha se janë rreth 30 mijë vëzhgues të akredituar nga KQZ-ja për të vëzhguar procesin zgjedhor.

KQZ ka certifikuar 28 subjekte politike për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës: 21 parti politike, 2 koalicione dhe 5 iniciativa qytetare./Zëri/