Hoxhaj: Ne e bëjmë historinë në luftë dhe në paqe, PDK është drita që do ta rimëkëmbë Kosovën

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kandidati për kryeministër, Enver Hoxhaj ka përmbyllur fushatën zgjedhore për Zgjedhjet Qendrore 2021 në një tubim elektoral madhështor në Prishtinë.

Hoxhaj ka thënë që të dielën do të shkruhet një faqe e re në historinë e Kosovës.

Ai ka shtuar që pas shkuarjes në Hagë të dy liderëve të UÇK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli PDK-ja nuk është dorëzuar, por është bërë edhe më e fortë.

"Së shpejti do të kthehen heronjët tonë. Të pafajshëm! Dhe së bashku me ta, edhe historia e Kosovës do të dalë e pafajshme. Ne bëjmë Historinë në luftë dhe në paqe. Ne nuk e fshijmë historinë siç bën Vetëvendosje. Vetëndosje po fshinë historinë e saj duke hequr të gjitha ato që kanë thënë dhe bërë deri në vitin 2014. LVV është Mjegulla! PDK është Qartësia! Ne jemi qartësia dhe drita e re. Drita që do ta Rimëkëmbë Kosovën! Gjithçka e lidhur me ne është në dritë.", ka thënë Hoxhaj.

Ai duke kërkuar votën për PDK-në dhe numrin 134 ka theksuar se Rimëkëmbja në ekonomi, arsim, politikë, shëndetësi dhe drejtësi do të jetësohet me qytetarët e Kosovës dhe do të fillojë të dielën, më 14 shkurt.

"Të dielën, ne do të fillojmë Rimëkëmbjen. Jam i nderuar të bëhem Kryministri juaj i ri. Ju premtoj. Unë do të mbaj fjalën. Unë garantoj që secila fjalë e programit tonë do të jetësohet! Ja u jap fjalën dhe besën!Dhe ju duhet të më besoni për këtë. Më besoni që ne do të realizojmë të ardhura më të larta për të gjithë qytetarët e Kosovës. Programi jonë ekonomik është më i miri. Është pragmatik. Është i realizueshëm. Askush nuk do të lihet prapa. Rimëkëmbje për të gjithë. Mirëqenie për të gjithë.", ka thënë Hoxhaj.

Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, njëherësh kanididati për deputet, Uran Ismaili ka thënë se PDK-ja nuk dorëzohet kurrë dhe me Enver Hoxhajn kryeministët do të rimëkëmbet Kosova.

"Krijuam programin për Rimëkëmbjen e Kosovës. Në Programin tonë të Rimëkëmbjes, ne i përfshimë të gjitha kërkesat e qytetarëve, dhe këtë e bëmë me ndihmën tuaj. Programi ynë politik u bë nga qytetarët dhe për qytetarët. Vizituam çdo qytet, çdo lagje, çdo pjesë të këtij vendi. Shpërndamë programin tonë, u pritëm nga shumë qytetarë dhe fushatës sonë iu bashkuan mijëra e mijëra qytetarë. Dhe, ju na dëgjuat dhe ju përgjigjet Rimëkëmbjes me besimin tuaj. Rimëkëmbja është e mundur vetëm me PDK-në, me një ekip profesionistësh të udhëhequr nga Profesor Enver Hoxhaj, Kryeministri i ardhshëm i Kosovës. Në këto pak ditë fushatë, ai ishte kudo në Kosovë dhe shfrytëzoi çdo mundësi që ta prezantojë në mënyrë transparente e të detajuar Programin e Rimëkëmbjes.", ka thënë ai.

Nënkryetari i PDK-së, njëherësh kandidati për deputet, Memli Krasniqi ka thënë se fitorja e PDK-së do t'ia rikthejë dinjitetin vendit dhe politikës, sepse ka dy të vërteta që nuk mund të shemben kurrë, çlirimi i Kosovës në qershor të vitit 1999 dhe shpallja e pavarësisë në vitin 2008.

Ai ka thënë se me Rimëkëmbjen fiton secili qytetar i Kosovës dhe ndaj regresit, rrezikut e paaftësisë së mashtruesve dhe demagogëve, sepse PDK-ja i ka dëgjuar kërkesat e secilit prej tyre.

"Prandaj sot është koha për PDK-në. Tani është koha për Rimëkëmbje. Tani është koha e shpresës. Tani është koha për të ëndërruar, por edhe për të mos harruar. Nuk ka të ardhme pa histori dhe ne jemi krenarë për historinë tonë. Plot shpresë edhe për të ardhmen e Kosovës. Që nga e diela, atdheun tonë ne do ta rimëkëmbim së bashku. Që nga e diela, çdo i ri e i moshuar, çdo burrë e grua, çdo punëtor e ndërmarrës, do ta kenë sigurinë dhe mbështetjen që ju duhet. Kjo është PDK-ja jonë. Kjo është PDK-ja e qytetarëve tanë. Kjo është e ardhmja që na pret me PDK-në.", ka thënë ai./Zëri