Lladrovci: Jemi të vonuar dhe nuk duhet diskutuar për çështje që nuk e çojnë përpara shtetin

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka dhënë një opinion lidhur me pastërtinë e figurës së drejtuesve që duhet të vlejnë për të gjitha nivelet e pushtetit, edhe të legjislativit, por edhe të gjyqësorit dhe ekzekutivit.

Lladrovci përmes një postimi në "Facebook", ka thënë se “nuk do të ishte e mirë, as të përsëriten zgjedhjet shkaku i presidentit. Konsideroj se do racionalizuar sistemi ynë Kushtetues e ligjor, madje si prioritet”.

Postimi i plotë:

Nga manifestimet në opinion të akterëve politik për zgjedhjet nacionale, pritshmëritë dhe veprimet lidhur me procesin zgjedhor si dhe përfundimet që dalin nga rezultati zgjedhor, domosdo e bëjnë pjesë të çështjes edhe vendimet e Seancës shqyrtuese të Gjykatës Kushtetuese.

Në Vendimet nga seanca shqyrtuese e mbajtur më 21 dhjetor 2020, me të cilën e morën vendime të cilat nuk ishin të izoluara vetëm rreth çështjes së parashtruar, duke sjell edhe vendime tjera, si mos mundësia e pjesëmarrjes në procesin zgjedhor, kandidatët që kanë dënim të plotfuqishëm në tri vitet e fundit, mund të nxit rishikimin e çështjes rreth të emëruarve në ekzekutiv.

Në natyrën e atij vendimi të Gjykatës Kushtetuese, ndalesa për të dënuarit me vepër penale në tri vitet e fundit, do të përfshij edhe emërimin e Kryeministrit, nëse do të jetë i tillë, nëpërmjet një ankese nga deputetët e Kuvendit, me të njëjtin arsyetim, sikur që i ndalohet pjesëmarrja në zgjedhje të dënuarve.

Sipas mendimit tim, nëse do të ketë ndalesë për deputetë, pse nuk do të ishte e domosdoshme edhe për kreun e qeverisë, drejtuesit e dikastereve me rëndësi si ministritë, drejtuesit e agjencive e deri te përgjegjësit me vlefshmëri të nënshkrimit për buxhet apo vendime për zbatim.

Ankesa për emërimin në post të lartë ekzekutiv të të dënuarit, nuk ka bazë për suspendim të vendimit. Por, gjithsesi është mungesë ligjore dhe duhet rregulluar.

Këto specifikime ligjore, duhet bërë sa më parë, pavarësisht se kush emërohet në krye të ekzekutivit, sepse, hyrja në mjegullat ligjore do bërë për të kursyer financa dhe kohë për zgjedhje, fuqizim të shtetit ligjor dhe zbatimin e njëjtë të ligjit për të gjithë. Nuk guxojmë të lejojmë vonesa sepse po vonon tepër shteti ynë në procese.

Nuk do të ishte e mirë, as të përsëriten zgjedhjet shkaku i presidentit. Konsideroj se do racionalizuar sistemi ynë Kushtetues e ligjor, madje si prioritet.

Gjykata Kushtetuese nuk është llastik, duhet të evitohen kandidatët me dënime në pozita drejtuese, konform vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, për të gjitha nivelet e institucioneve, si në gjyqësor, legjislativ dhe ekzekutiv.

Pastërtia e figurës dhe integriteti i udhëheqësve të legjislativit, është i njëjtë edhe për ekzekutiv dhe gjyqësor. Nëse ka dilema, një aktgjykim i ri i Gjykatës Kushtetuese, si vijimësi e atij të dhjetorit, do ta sqaronte çështjen për ata që kanë dilema.

Interesi për Kosovën dhe qytetarët e saj, duhet të jenë prioritet për secilin që pretendon ta udhëheq atë. Jemi të vonuar dhe nuk duhet diskutuar për çështje që nuk e çojnë përpara shtetin as mirëqenien e qytetarëve!