Kurti: S’kanë me mujt me vjedh me qeverinë tonë, hajnat e kanë vendin në burg
Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë vizitës në lagjet 028 dhe 029 në Fushë Kosovë, ka thënë se ditën e zgjedhjeve do të festojnë sepse do t’i bëjnë 61 deputet e më shumë.
“Ne po përpiqemi ta bëjmë ditën 25 orë, pasi 24 i kemi bërë. Para disa javësh, i kemi ndezur motorat dhe turbinat. E të dielën me 14 shkurt, do të festojmë shumë sepse do t’i bëjmë 61 deputetë e përpjetë”.
Kurti ka thënë që nuk do të ketë diskriminim për qytetarët e Kosovës dhe se do të trajtohen në mënyrë të barabartë.
“Gjatë qeverisjes në pranverën e vitit 2020, unë kam pas raporte shumë të mira me Elbert Krasniqin. Ne, nuk do të bëjmë kurrfarë dallimi dhe diskriminimi për qytetarët e Kosovës, por bashkërisht do t’u ndihmojmë që ta eliminojmë varfërinë ekstreme dhe ta rrisim punësimin e sidomos punësimin në profesion, të cilin e lidhim me arsimin e shkollimin. Nuk bën shteti për dikë me qenë nënë e dashur, e për dikë njerkë e hidhur. Duhet me qenë i barabartë për krejt”.
Po ashtu ai tha se do të jenë të fokusuar shumë te fëmijët.
“Do të ndikojmë më së shumti te fëmijët, sepse fëmijët e varfër duhet t’i nxjerrim nga varfëria edhe kur familja është e varfër. Shteti duhet të ndërhyjë jo me polici, por shteti social me ndihma dhe me shtesa në mënyrë që të mos kenë dhembje barku e koke, ata që janë të uritur”.
Ndërkaq, Kurti ka theksuar se nuk do të mund të vjedhin më qeverinë, pasi sipas tij shteti duhet me qenë pa hajna.
“S’kanë me mujt me vjedh mo me qeverinë tonë. Hajnat e kanë vendin në burg, shteti duhet me qenë pa hajna”, u shpreh ai./Zëri