KEDS: Jemi përgatitur që në ditën e zgjedhjeve të ketë furnizim me energji
KEDS-i ka bërë të ditur se janë përgatitur maksimalisht për ditën e zgjedhjeve që të ketë furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike për të gjitha qendrat e votimit.
Përmes një njoftimi, nga KEDS-i kanë njoftuar se kanë angazhuar mbi 1300 punëtorë, të cilët do të jenë në dispozicion që nga momenti i hapjes së qendrave të votimit e deri në përfundim të tyre.
“Ekipet do të jenë në dispozicion për të intervenuar menjëherë në rast se paraqitet nevoja, në mënyrë që të sigurohet furnizimi stabil me energji elektrike. Ata do të jenë të shpërndarë në secilën qendër të votimit, në mënyrë që intervenimi të jetë i menjëhershëm për çdo gjë që mund të jetë e nevojshme”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, KEDS-i ka instaluar në qendrat e votimit 1000 bateri emergjente, të cilat do të vihen në përdorim në rast nevoje.
“Të njëjtat pas përfundimit të votimit do t’u lihen në shfrytëzim shkollave. Janë në dispozicion edhe 70 gjeneratorë mobilë, të cilët do të shfrytëzohen në rast të ndonjë të papriture në rrjet, në mënyrë që mbarëvajtja e procesit të votimit të vijojë sipas planifikimeve. Në ditën e zgjedhjeve furnizimi me energji elektrike do të monitorohet në kohë reale përmes programit më të avancuar ‘Kosovanet’ dhe sistemit për kontrollimin e nënstacioneve SCADA, i cili do të ofrojë të dhëna të detajuara për secilën situatë të krijuar. KEDS-i apelon te të gjithë qytetarët që në rast të ndonjë avarie të paraqitur në rrjet të lajmërojnë menjëherë kompaninë duke thirrur në Qendrën e Thirrjeve pa pagesë në numrin 0800 791 00 ose duke shënuar në rrjetet sociale të KEDS-it”, thuhet në njoftim. /Zëri