Komuna e Vitisë reagon pas deklaratës së Konjufcës se LVV-ja nuk u lejua të mbajë tubim në një shkollë

Komuna e Vitisë ka reaguar sot pas deklaratës së kandidatit për deputet nga LVV-ja, Glauk Konjufca, i cili tha se LVV-së gjatë një tubimi në këtë komunë ia mbyllën dyert e shkollës dhe nuk e lejuan të futet brenda.

Komuna e Vitisë theksoi se pretendimet e LVV-së nuk qëndrojnë, meqë LVV-ja nuk ka parashtruar ndonjë kërkesë paraprake për tubim.

Kjo komunë thotë se asnjëherë nuk ia kanë mohuar askujt të drejtën mbi shfrytëzimin e infrastrukturës.

“Ne si DKA asnjëherë nuk ia kemi mohuar askujt të drejtën mbi shfrytëzimin e objektit, të drejtë të cilën LVV-ja e ka shfrytëzuar edhe në shkolla të tjera, por gjithnjë duke paralajmëruar kompetentët dhe përgjegjësit e shkollës. Askush nuk ka të drejtë as t’ua mohojë pjesëmarrjen dhe shfrytëzimin e infrastrukturës, që do të ishte shumë gabim, por në këtë rast nuk kishte njoftim paraprak”, thuhet në reagimin e Komunës.

Reagimi i plotë:

Reagim ndaj akuzave të pabaza të LVV-së për tubimin elektoral në fshatin Drobesh.

Pretendimet e LVV-së se gjoja u është mohuar e drejta e shfrytëzimit të shkollës së mesme të ulët në fshatin Drobesh nuk qëndrojnë, meqë LVV-ja nuk ka parashtruar ndonjë kërkesë paraprake për tubim.

Ne si DKA asnjëherë nuk ia kemi mohuar askujt të drejtën mbi shfrytëzimin e objektit, të drejtë të cilën LVV-ja e ka shfrytëzuar edhe në shkolla të tjera, por gjithnjë duke paralajmëruar kompetentët dhe përgjegjësit e shkollës. Askush nuk ka të drejtë as t’ua mohojë pjesëmarrjen dhe shfrytëzimin e infrastrukturës, që do të ishte shumë gabim, por në këtë rast nuk kishte njoftim paraprak.

Unë personalisht si drejtor i DKA-së këtë akuzë/ njoftim e kam kuptuar nga mediumet lokale, andaj në emër të DKA-së në Viti shprehim indinjatë ndaj kësaj akuze të pabazë, të cilën e shohim edhe si provokim të drejtpërdrejtë të institucioneve lokale.

Deklaratat dhe qëndrimet që u atribuohen gënjeshtrave të pacipa, të qëllimshme nuk i bëjnë favore askujt, e lëre më një partie politike ose gazetarisë profesionale, ose siç do të thoshte Makiavelli: “Qëllimi nuk i përligj mjetet”.

Në kohën kur informimi është aq i shpejtë kjo nuk do të duhej të ishte problem dhe disa që pretendojnë nivelet më të larta të qeverisë nëse nuk e shfrytëzojnë këtë mundësi, atëherë përgjegjësia të mos shpërndahet, por të bëhen më përgjegjës për veprimet e tyre.