Hoti nga Shtërpca: Refuzoni propagandën, bëhuni pjesë e projektit për zhvillim dhe punësim

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Avdullah Hoti, nga Shtërpca, ju ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që ta votojnë LDK-në.

Sipas tij, nëse qytetarët votojnë këtë parti Kosova do të shëndrrohet në qendër administrative, e arsimit, e kulturës, e rinisë dhe sportit.

“Në vizionin tonë dhe me projektet konkrete tashmë të siguruara nga qeverisja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kosova do të shndërrohet, jo vetëm në një shtet modern, qendër administrative, e arsimit, e kulturës, e rinisë dhe sportit, por edhe një nyje rajonale e zhvillimit ekonomik e teknologjik”, ka thënë ai.

Gjatë kësaj fushate ai ka quajtur programin e LDK-së si parti e djathtë.

“Programi i LDK-së, si parti e qendrës së djathtë, mbështetet në vlerat demokratike, si: respekti për traditën, lirinë, drejtësinë dhe tolerancën, përgjegjësin dhe transparencë, liri të shprehjes, liri individuale dhe kolektive, që paraqesin fundamentin e shoqërisë moderne evropiane të Kosovës”, thotë ai.

Sipas tij, LDK-ja në programin e saj qeverisës ofron mundësi për realizimin e vizionit për Kosovën shtet i pavarur dhe demokratik, shtet i zhvilluar dhe i integruar në strukturat euro-atlantike, duke vazhduar fuqizimin e marrëdhënieve me partnerët strategjikë ndërkombëtar – BE-në dhe SHBA-të.

“Në programin e Lidhjes Demokratike për mandatin e ardhshëm katërvjeçar, vend me rëndësi ka zënë zhvillimi ekonomik dhe punësimi. Zhvillimi ekonomik do të mbështetet në sektorin privat, i cili është bazë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Do të punohet në krijimin e kushteve për punësim të qëndrueshëm dhe dinjitoz, duke promovuar konkurrencën e lirë, me rol të kufizuar të shtetit në ekonomi, kryesisht si lehtësues e rregullator i zhvillimit ekonomik, bazuar në prioritetet nacionale zhvillimore, me kujdes të veçantë ndaj mjedisit, për ta ruajtur atë edhe për brezat e ardhshëm”, pohoi Hoti.

Ai tha se Kosova e ka të domosdoshme përgatitjen e një orientimi të qartë strategjik afatgjatë të zhvillimit, ku vendosen prioritetet zhvillimore dhe kornizat e politikave ekonomike, fiskale e buxhetore dhe të borxhit publik, që tejkalojnë një mandat qeverisës. /Zëri