Hoti: Do ta kthejmë Prishtinën në nyje strategjike për krejt rajonin
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Avdullah Hoti, tha të enjten se me programin e tij qeverisës, do ta kthejë Prishtinën në një nyje strategjike për gjithë rajonin, duke e lidhur me hekurudhë me portin e Durrësit, i cili përveç turizmit, do të shërbejë edhe si linjë e qarkullimit të mallrave.
Hoti tha se projekti i tij parasheh edhe lidhjen e kryeqytetit tonë me gazsjellësin rajonal, i cili do të mundësojë dekomisionimin e Termocentralit Kosova A, për të reduktuar ndotjet e mjedisit.
“Do të investohet për ndërtimin e stacionit intermodal në mes të Prishtinës dhe Fushë Kosovës, ku sigurohet ndërlidhja e stacionit të trenit për udhëtarë, të stacionit të autobusëve, lidhja me autostradë, transporti i mallrave dhe lidhja me Aeroportin e Prishtinës”, tha Hoti, në takim me elektoratin e Degës II të LDK-së në Prishtinë.
Kryeministri në detyrë tha se “kur morëm drejtimin e qeverisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kishin vendosur sanksione Kosovës, pasi që ishin bllokuar fondet e Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC), ushtria amerikane paralajmëronte largimin nga Kosova, ndërsa trajnimet për FSK-në ishin pezulluar”.
“Për shtatë muaj qeverisje, jo vetëm që hoqëm sanksionet, por arritëm që FSK-në ta bëjmë pjesë të Gardës së Iowa-s, për të kontribuar për paqen në botë. Vendet e BE-së, Gjermania e Franca si dhe Britania e Madhe e vendet tjera demokratike të botës i besojnë qeverisjes së LDK-së si pjesë e Partive Popullore Evropiane. Ne kemi përkrahjen e partive simotra për të përmbyllur me sukses procesin e liberalizimit të vizave gjatë këtij viti”, tha ai.
Hoti shtoi se e kanë përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të përmbyllur procesin e dialogut me Serbinë, “siç tha presidenti Biden ‘me njohje recirpoke’”.
“Lidhja Demokratike, për 31 vite, ka qenë në ballë të proceseve të vështira të lirisë, shtet-ndërtimit dhe zhvillimit të Kosovës. Në gjithë historinë tonë prej tri dekadash, nuk jemi shmangur asnjëherë nga përgjegjësitë shtetërore. LDK-ja nuk ka bashkëjetuar dhe nuk do të bashkëjetojë me krimin e korrupsionin”, tha kandidati i LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti. /Zëri