Fushatat milionëshe
Më shumë se 4 milionë euro që partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës marrin çdo vit nga buxheti i shtetit, nuk i mbulojnë shpenzimet e mëdha që ato bëjnë vetëm gjatë fushatave elektorale, thonë përfaqësues nga Instituti Demokratik i Kosovës dhe Organizata për Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”.
Në buxhetin e vitit 2021, financimi i partive politike është nën programin “Fondi për mbështetjen e partive politike”, kategoria ekonomike subvencione dhe transfere në total ka një vlerë prej 4.200,000 euro.
Shuma e mjeteve për financimin e aktiviteteve të subjekteve politike bëhet në bazë të përfaqësimit të numrit të ulëseve të fituara në Kuvend për një mandat.
Por, partitë politike financohen edhe nga burime tjera kryesisht nga bizneset, thotë për Radion Evropa e Lirë, drejtori i organizatës joqeveritare “Çohu”, Arton Demhasaj.
“Po vërehet që ka shpenzime të mëdha në media, në rrjete sociale, në reklama dhe në billborde që po vendosen në qytete. Në të kaluarën i kemi matur shpenzimet e partive politike dhe në bazë të matjes që e kemi bërë në atë kohë ka dalë se partitë politike kanë shpenzuar dy herë më shumë sesa që kanë deklaruar në KQZ”, thotë Demhasaj.
Megjithatë, me këtë nuk pajtohen përfaqësuesit e disa partive politike në Kosovë.
Lutfi Zharku nga Lidhja Demokratike e Kosovës thotë për Radion Evropa e Lirë se fushata elektorale po financohet nga mjetet që atyre iu ndahen në vit nga buxheti i shtetit dhe se deklarimin e shpenzimeve për këtë fushatë, do ta bëjnë pas përfundimit të zgjedhjeve.
Edhe zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Kryeziu, thotë për për Radion Evropa e Lirë se burimet bazë dhe kryesore të financimit janë Fondi për demokratizim i subjekteve politike në kuadër të buxhetit të Republikës së Kosovës, njëherësh edhe pagesat e anëtarësisë dhe donacionet vullnetare nga persona juridikë dhe fiziksë.
“VV-ja gjithmonë ka qenë transparente sa i përket financave të saj, duke dorëzuar raportet financiare, qofshin ato vjetore apo të fushatave zgjedhore, në kohë dhe duke i bërë publike rregullisht ato në ueb-faqe e saj. Njësoj do të veprojmë edhe kësaj radhe”, deklaron Kryeziu.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni KËTU.