PZAP-ja gjobit AAK-në, Nismën e PDK-në me mbi 43 mijë euro
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka njoftuar lidhur me 11 ankesat e vendosura të cilat kanë të bëjnë me fushatën zgjedhore të zgjedhjeve të 14 shkurtit, raporton Zeri.info.
Në seancën e mbajtur sot, PZAP-ja ka bërë të ditur se nga 11 ankesa të vendosura, 6 prej tyre janë pranuar si të bazuara, 4 të palejuara dhe një ankesë është refuzuar si e pabazuar.
Sipas PZAP-së, AAK-së i janë shqiptuar gjoba në shumë prej 22 mijë e 700 euro, Nismës Socialdemokrate gjobë prej 20 mijë euro dhe PDK-së gjobë prej 1 mijë euro.
Njoftimi i plotë:
Njoftim lidhur me ankesat e vendosura nga PZAP-i që kanë të bëjnë me fushatën zgjedhore të Zgjedhjeve të Parakohshme për Kuvend të Kosovës te 14 shkurtit 2021
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa – PZAP-i, në seancën e mbajtur me datën 11.02.2021 ka shqyrtuar dhe vendosur lidhur me 11 ankesa që kanë të bëjnë me fushatën zgjedhore.
Lëvizja Vetëvendosje! Ka paraqitur dy (2) ankesa, një (1) kundër PDK, dhe një (1) kundër AAK,
Lidhja Demokratike ka paraqitur një (1) ankese kundër AAK,
Organizata Instituti i Kosovës për Demokraci (KDI) ka paraqitur 7 ankesa, tri (3) ankesa kundër AAK, një (1) ankesë kundër PDK, një (1) ankesë kundër LDK, një (1) ankesë kundër NISMA Socialdemokrate, një (1) ankesë kundër Iniciativës Qytetare “Komuniteti i Bashkuar” – Adrijana Hodzic dhe,
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka paraqitur një (1) ankesë kundër Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Rahovec,
Prej 11 ankesave të vendosura, PZAP- i ka pranuar të bazuara 6 ankesa, 1 ankesë e ka refuzuar të pabazuar ndërsa 4 ankesa i ka hedhur të palejuara.
AAK i janë shqiptuar gjoba në shumë prej: 22,700.00 euro,
NISMA Socialdemokrate i janë shqiptuar gjoba në shumë prej: 20,000.00 euro,
PDK i janë shqiptuar gjoba në shumë prej: 1,000.00 euro,
Gjithsejtë në seancën e sotme janë shqiptuar gjoba në shumë prej 43,700.00 euro
Natyra e ankesave kryesisht është për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes për subjektet politike:
Përdorimi i gjuhës se urrejtjes
Mbajtja e tubimit publik pa paralajmërim,
Shkelja e Kodit te Mirësjelljes
Vendosja e billbordeve ne hapësirat e subjekteve tjera politike
Vendosja e billbordeve dhe panove në prona politike dhe përgjatë rrugëve
Vendosja e shiritave të kuq në rrugë
Largim nga lista e votuesit
Vendosja e posterëve në shtylla elektrike
Vendosja e posterave në objekte publike