Policia e Kosovës, takim për planin operativ të ditës “Z”

Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës është mbajtur një takim zyrtar lidhur me angazhimin e Policisë në zbatimin e planit operativ për “Zgjedhjet e parakohshme parlamentare”.

Takimi është udhëhequr nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, në të cilin kanë marrë pjesë menaxhmenti i lartë i PK-së: drejtorët e departamenteve, drejtorët e divizioneve dhe drejtorive rajonale, të cilët janë njoftuar lidhur me planifikimet, vlerësimet dhe angazhimet policore në ofrimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, si një proces mjaft i rëndësishëm për vendin.

Mehmeti gjatë këtij takimi ka theksuar se përmes realizimit të planit operativ duhet të krijohet një ambient i sigurt dhe i qetë për të gjithë qytetarët e përmes mbajtjes së rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve.

“Planifikimi operativ ka paraparë implementimin dhe realizimin e operacionit policor në katër faza, siç është filluar nga periudha parazgjedhore ose përgatitore vlerësuese, pastaj angazhimi në ofrimin e sigurisë gjatë fushatës parazgjedhore, angazhimi dhe garantimi i sigurisë në fazën kyçe të ditës së zgjedhjeve si dita (Z), si dhe periudha pas zgjedhjeve, që parasheh transportin nën përcjellje dhe siguri të PK-së të materialit sensitiv e deri në përfundim të procesit”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Bëhet e ditur se Policia e Kosovës do të angazhojë një numër të mjaftueshëm të zyrtarëve policorë të profileve të ndryshme, që u përkasin njësiteve të ndryshme brenda Policisë, si dhe ka marrë masa shtesë, duke caktuar edhe koordinatorë të policisë me KQZ-në dhe institucionet e tjera të angazhuara në këtë proces.

“Në këtë takim me të pranishmit u diskutua edhe rreth inicimit dhe procedimit të çdo vepre penale kundër së drejtës së votimit dhe ndërmarrjes së të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet e vendit që rregullojnë - sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike, në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit sipas planeve të veprimit dhe marrëveshjeve paraprake të bazuara në ligj”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Policia inkurajon të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me ta dhe njëherësh të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor ose edhe jashtë tyre. /Zëri