Qytetarët kaplohen nga emocionet e zgjedhjeve, prishtinasi ofron qëndrim falas në banesën e tij për mërgimtarët

Një qytetar ka ofruar qëndrim falas në banesën e tij për mërgimtarët, të cilët këto ditë kanë udhëtuar drejt Kosovës për të marrë pjesë në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Producenti dhe aktori Avni Abazi, përmes një postimi në “Facebook”, ka bërë të ditur se ofron falas banesën e tij në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë për qëndrim të mërgimtarëve të cilët do të vinë në Kosovë për zgjedhjet e së dielës, transmeton “Zeri.info”.

“E dashur diasporë. Nëse keni vendosë me udhëtu në Kosovë për të votuar, por nuk doni t’i shqetësoni familjaret e juve për pak ditë sa jeni atje, ose nuk keni një vend ku të rrini, atëherë ju ftoj që ta konsideroni si mundësi qëndrimi free banesën time në lagjen Ulpiana në Prishtinë. Banesa është e vogël, me një dhomë, por mund të akomodojë lirisht 3 persona”, ka shkruar Abazi në rrjetet sociale.

Ai ka thënë se këtë ide ia kishte dhënë një mik i tij hebre.

“Këtë ide ma dha një mik i im hebre, të cilit pasi i tregova për zgjedhjet dhe pengesat që KQZ-ja i ka bërë diasporës, atëherë ai tregoi një moment pas krijimit të shtetit të Izraelit që paska ndodhë në atë kohë, më ç'rast pronarë hotelesh e persona privatë kanë hapur dyert për mërgatën hebreje në Amerikë për të kryer obligimin e tyre për të votuar në atdhe”, ka shkruar ai, duke ftuar që edhe të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë. /Zëri

 

E dashur diasporë, Nese keni vendose me udhetu në Kosovë për të votuar, por nuk doni ti shqetsoni familjaret e juve për...

Posted by Avni Abazi on Wednesday, February 10, 2021