Ministri i Jashtëm i Togos mbështet Hoxhajn: Është burrështetas që ka bërë punë të madhe për Kosovën

Ministri i Jashtëm i Togos, Robert Dussey, ka mbështetur Enver Hoxhajn në kandidaturën e tij për kryeministër, raporton “Zeri.info”.

Përmes një videoje, ai u është drejtuar qytetarëve të Kosovës, duke thënë se Enver Hoxhaj është një kampion i diplomacisë dhe një burrështetas që ka bërë punë të madhe për vendin e tij.

“Kam kënaqësinë ta bëj këtë deklaratë në një ditë të rëndësishme për Kosovën, kur miku im i mirë, Enver Hoxhaj, po kandidon për kryeministër të vendit tuaj të bukur. Unë kam qenë atje 5 vjet më parë. Unë e njoh Enverin për shumë vite, ne kemi punuar së bashku për të vendosur marrëdhëniet diplomatike midis vendit tim, Togos, në Afrikën Perëndimore dhe vendit tuaj të bukur - Kosovës. Enveri është një kampion i diplomacisë dhe një burrështetas që ka bërë punë të madhe për vendin e tij. Unë e di këtë shumë mirë. Ai forcoi marrëdhëniet e Kosovës me Togon dhe me botën. Kur them Togo, them edhe Togo, edhe vendet afrikane”, ka thënë ministri i Jashtëm i Togos.

Krejt në fund Dussey tha se në emrin e tij dhe të kryenegociatorit të vendeve afrikane, Karaibeve dhe Paqësorit me Bashkimin Evropian, shpreson të punojë përsëri me Hoxhajn.

“I uroj të gjitha të mirat në përpjekjet e tij për të udhëhequr Kosovën. Në emrin tim dhe në rolin tim si kryenegociator i ACP-së (Vendet Afrikane, Karaibet dhe Paqësori) me Bashkimin Evropian, ne shpresojmë që të punojmë përsëri me mikun tonë, Enverin”, ka thënë ai. /Zëri