Kurti: Më 14 shkurt do ndahet “shapi prej sheqerit”
Kryetari i LVV-së, Albin Kurti ka vazhduar fushatën e tij zgjedhore në qytetin e Prizrenit dhe Klinës.
Kurti ka thënë se në këto dy qytete sot ka parë fytyra të mbushura me shpresë për 14 shkurtin, ku siç ka thënë ai do të ndahet “shapi nga sheqeri” duke e krahasuar qeverinë e keqe që sipas tij po shkon dhe ajo e mira që po rikthehet.
Në një shkrim në Facebook, kreu i LVV që synon të bëhet kryeministër pa koalicion me ndonjë parti tjetër pas zgjedhjeve, ka thënë se nuk do të qeverisë nga inati apo për hakmarrje.
“Fytyra të mbushura me shpresë sot kanë vërshuar rrugët dhe sheshet e Klinës dhe Prizrenit.
Krejt shpresën e kanë te 14 shkurti, drejt referendumit gjithëpopullor, kur do të ndahet “shapi prej sheqerit”, qeverisja e keqe që po shkon nga mirëqeverisja që po rikthehet.Nuk do të qeverisim nga inati apo për hakmarrje. Do të shërbejmë nga detyra dhe besimi, sipas programit dhe me ligj”, ka shkruar Kurti.
Ai ka ftuar qytetarët që ta dalin masivisht në zgjedhjet më 14 shkurt.
“Me dalje masive dhe përkrahje listës së Lëvizjes me numër 127, një herë e mirë i japim fund avazit të vjetër dhe krejt Kosovën tonë e sjellim në binarë të drejtë të progresit”, ka shkruar ai./Zëri