Hoti: Nuk ka asnjë fije dyshimi që të dielën do ta përmbyllim me fitore të plotë

Kandidati për kryeministër nga LDK-ja, Avdullah Hoti, ka thënë se nuk ka asnjë fije dyshimi se të dielën do të dalin fitues, raporton “Zeri.info”.

“Nuk ka asnjë fije dyshimi që të dielën do ta përmbyllim me fitore të plotë dhe të fuqishme. Do të doja të flas shumë më tepër për programin qeverisës, por jemi në një situatë specifike ku ne duhet të kthehemi në parimet mbi të cilat është ndërtuar kjo shoqëri – parimet e besës, të orientimit pro-perëndimor, konsolidimit të shtetit të Kosovës, organizimit të luftës dhe plot sfida të tjera deri këtu ku kemi ardhur”, ka thënë ai.

Ai edhe nga Gjilani i ka përmendur “shamitë e kuqe” si identifikim i Vetëvendosjes. Hoti krahasoi Vetëvendosjen si “regjim totalitar si në kohën e Mao Ce Dunit që duan ta ndërtojnë njeriun e ri”.

“Në këtë fushatë po duhet të kthehemi në bazament të ndërtimit të shoqërisë sonë demokratike proevropiane, sepse përballë i kemi këta me shami të kuqe, të cilat përpara i kanë lidhur në qafë. Janë regjim totalitar si në kohën e Mao Ce Dunit, që duan ta ndërtojnë njeriun e ri. Për ta ndërtuar njeriun e ri duhet të zhbëhet shpirti i tij dhe me ia humb besimin që e ka dhe më pas të tentohet të rindërtohet njeriu i ri. Krejt këto eksperimente shoqërore nëpër botë kanë dështuar dhe do të dështojnë edhe në Kosovë këtë të diel”, ka thënë kandidati për kryeministër.

Hoti theksoi se është i bindur se do të marrin besimin e plotë nga qytetarët.

“Jemi para një fitoreje të madhe për demokracinë në Kosovë. Jam i bindur se do ta marrim besimin e plotë, sepse në kohërat më sfiduese burrat dhe gratë e LDK-së - shkrimtarët, ushtarakët dhe punëtorët janë bërë bashkë dhe e kanë ideuar se kah duhet të shkojë ky shtet. Më pas, hap pas hapi, e kanë ndërtuar shtetin dhe e kanë sjellë deri këtu ku është sot. Ne e kemi për obligim që të sigurohemi që shtetin e pavarur të Kosovës ta dërgojmë në destinancionin final ku edhe e ka vendin – anëtarësimi në BE dhe NATO”. /Zëri