Limaj: Do të nxjerrim ligj për t’i sanksionuar ata që mohojnë gjenocidin serb në Kosovë
Lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se partia e tij një nga veprimet e para që do t’i ndërmarrë do të jetë nxjerrja e ligjit për dënimin e gjithë atyre që mohojnë gjenocidin serb, i shkaktuar në Kosovë.
Në një videomesazh të drejtuar qytetarëve, Limaj ka thënë se kjo është gjëja më e vogël që mund të bëjë për viktimat e terrorit dhe gjenocidit serb që ka ushtruar në Kosovë ndaj qytetarëve të pafajshëm, fëmijëve, grave dhe pleqve.
“Të gjithë ata që gënjejnë dhe tentojnë ta devijojnë historinë e dhimbshme, tragjike, por edhe krenare të Kosovës duhet të sanksionohen me ligj, prandaj një nga iniciativat e para do të jetë nxjerrja e ligjit kundër gjithë atyre që mohojnë gjenocidin dhe masakrat që ka shkaktuar Serbia në Kosovë”, ka thënë ndër të tjera Limaj. /Zëri