“Asnjë parti më herët nuk ka treguar interes për veteranët”, ish-luftëtari i UÇK-së mbështet LVV-në
Ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Meçan Zotaj, u shpreh në “Euronews Albania” se mungesa e figurave të njohura të UÇK-së në zgjedhjet e 14 shkurtit ka brengosur shumicën.
Zotaj theksoi se qytetarët, kryesisht veteranët e luftës, janë brengosur më shumë në aspektin e krenarisë kombëtare, jo në aspektin politik.
Ai ngriti edhe shqetësimin se partitë politike nuk duhet t'i shfrytëzojnë veteranët e luftës për të përfituar vota.
“Nuk duhet të thirret më asnjë parti politike në emër të UÇK-së, sepse e kanë përdorur për të tejkaluar pengesat e tyre”, u shpreh ish-luftëtari.
Ai theksoi se “partitë më herët kanë vendosur një ndihmë sociale për veteranët e luftës, por kryesisht partitë e krahut të luftës e shkatërruar atë ndihmë sociale duke fryrë listat e veteranëve të UÇK-së për të marrë sa më shumë vota”.
Zotaj nënvizoi më tej se ka shumë veteranë të luftës që mbështesin Lëvizjen Vetëvendosje.
Sipas tij, veteranët nuk është se kanë 100% besim te Vetëvendosja, por e shohin ndëshkim për të gjitha partitë që kanë qenë pushtet deri tani dhe nuk kanë treguar asnjë lloj interesi për veteranët dhe shtetin e Kosovës. /euronewsal