Ambasada Britanike thotë se do të vëzhgojë numërimin e votave të diasporës

Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë thotë se do të vazhdojë të monitorojë nga afër numërimin e votave që vijnë nga diaspora për zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë.

Sipas saj, mbi 100 mijë aplikimet e reja të votuesve nga diaspora janë numra rekord, transmeton Zeri.info.

“Mbi 100,000 aplikime për regjistrimet e reja të votuesve në diasporë u pranuan nga KQZ-ja. Këto janë shifra rekorde. Ashtu si në zgjedhjet e mëparshme, ky proces nuk ka qenë i përsosur. Misionet e mëparshme të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të BE-së kanë rekomanduar që ligji të ndryshojë në mënyrë që të lejojë më shumë kohë për proceset parazgjedhore”, thuhet në njoftimin Ambasadës së Britanisë së Madhe në Kosovë.

Ambasada thotë se “Kjo nuk ka ndodhur dhe afati për këto zgjedhje të parakohshme është edhe më i shkurtër se normalisht, duke bërë presion mbi KQZ-në dhe duke krijuar rreziqe që jo të gjitha fletët e votimit nga jashtë shtetit do të arrijnë në kohë”.

“Ky mision, së bashku me të tjerët, është duke u angazhuar me institucionet përkatëse dhe është i kënaqur që janë bërë aranzhimet e nevojshme që të gjitha fletëvotimet e diasporës që mbërrijnë në kohë të merren në mënyrë të sigurt dhe të numërohen pa ndërhyrje. Ne natyrisht do të vazhdojmë ta monitorojmë nga afër këtë”, përfundon njoftimi. /Zëri/