Ejupi-Hajzeraj: Me AAK-në në qeveri do të ndajmë nga 150 euro për gratë e punësuara

Kandidatja e AAK-së për deputete, Pranvera Ejupi-Hajzeraj, ka shpalosur sot programin e partisë së saj për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Ejupi-Hajzeraj ka thënë se ka vendosur t’i bashkohet AAK-së pasi ka vlerësuar kreun e saj Ramush Haradinajn si një politikan konsekuent, i cili, sipas saj, ka kontribuar në vazhdimësi për vendin.

“Unë kom vendosur të bashkohem me AAK-në për arsye se Haradinaj ka sjellë shumë vendime të mira për Kosovën. Ju e dini se para disa viteve është folur për shkëmbim territoresh nga liderët politikë dhe Haradinaj ka qenë konsistent e njerëzit që kanë dalë nga lufta, si familja Haradinaj dhe ajo Jashari, kanë dhënë shumë për Kosovën. Unë e ndiej veten shumë mirë dhe mendoj se Kosova duhet të ekzistojë në kufijtë e 17 Shkurtit”, ka thënë Ejupi-Hajzeraj në një intervistë për “Radio Prishtinën”.

Ajo ka shpalosur programin e AAK-së, ku ka përmendur ndarjen e 100 eurove për secilin qytetar si ndihmë për shkak të pandemisë COVID-19, por edhe subvencionimin e pagave e në veçanti për gratë.

“Sapo të vijmë në qeveri mendojmë t’ia ndajmë secilit qytetar nga 100 euro. Ky është lehtësim që të fusim para në treg. Subvencionimi i pagës prej 80% për 3 muaj për secilin punëtor të kthyer në punë dhe që ka kontratë së paku njëvjeçare - 60 milionë euro. 50% të pagës, por jo më pak se 170 euro, për secilin punëtor që e ka humbur vendin e punës për tre muaj pas miratimit të këtij vendimi. Subvencionimi i shumës prej 150 euro për tre muaj për secilën grua të punësuar nga data e miratimit të këtij vendimi me kusht që kontrata të jetë së paku njëvjeçare dhe paga e plotë të mos jetë nën 270 euro – 25 milionë euro (mbulon punësimin e 50 mijë grave)”, ka thënë Ejupi-Hajzeraj, e cila është zotuar se do të jetë zë i fuqishëm i grave në Kuvendin e Kosovës.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit Pranvera Ejupi-Hajzeraj garon me numrin 21 në listën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. /Zëri