Hoti: Kosova s’do ta përkrahë mentalitetin komunist më 14 shkurt

Kandidati i LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti, tha të hënën në tubimin elektoral në Obiliq se LDK-ja është alternativa e vetme që e ruan shtetin e Kosovës dhe kursin e saj evropian.

“Shihni këta oponentët tanë si po dalin rrugëve me megafona e me shirita të kuq, që janë shenjë e komunizmit, shenjë e regjimeve totalitare. Më 14 shkurt të gjithë duhet ta kuptojnë se Kosova nuk mbështet mentalitetin komunist, por e mbështet mentalitetin zhvillimor evropian, që përfaqësohet nga LDK-ja”, tha Hoti.

Kandidati i LDK-së foli edhe për programin e kësaj partie në zgjedhje, duke u zotuar se qeveria e re do të vazhdojë mbështetjen për komunën e Obiliqit.

“Obiliqi është vend që i jep energji gjithë Kosovës, i jep ngrohjen Prishtinës, prandaj qytetarët e Kosovës i kanë borxh Obiliqit dhe do ta kenë përkrahjen e qeverisë ashtu siç e kanë pasur deri tani nga qeveria e drejtuar nga LDK-ja”, tha Hoti.

Ai kërkoi nga të gjithë që më të bashkuar se kurrë t’i japin mbështetje LDK-së në zgjedhjet e 14 shkurti, sepse “vetëm në këtë mënyrë bëhet e mundur ruajtja e shtetit dhe zhvillimi i tij”.

“Jam këtu për të kërkuar besimin për të çuar përpara misionin e shenjtë të ndërtimit të shtetit, mision i nisur 31 vjet me parë. Ky mision, destinacion e ka anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Ne e kemi dëshmuar se mund ta bëjmë këtë. E kemi marrë qeverinë me sanksione amerikane dhe kemi përmbyllur vitin me marrëveshjen që i sjell Kosovës një miliard euro investime, që i solli njohjen nga Izraeli. Po ashtu viti është përmbyllur edhe me vendimin që FSK-ja si pjesë e ushtrisë amerikane të shkojë në misione paqeruajtëse në botë”, tha Hoti. /Zëri