Kandidatja e AAK-së, Pranvera Ejupi: Do të udhëheqim Kosovën, kemi ofertën më të mirë për president

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka si moto kryesore “Haradinaj për president”.

Gjatë kësaj fushate zgjedhore, duke deklaruar hapur se ajo synon të nxjerrë pas zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit një situatë të re politike ku posti i presidentit, i lënë pas dorëheqjes së Hashim Thaçit, t’i shkojë kryetarit Ramush Haradinaj.

Kandidatja për deputete e AAK-së, Pranvera Ejupi, në një intervistë për “Euronews Albania” tregoi se beson se do të udhëheqin Kosovën, por ndërkohë kanë edhe ofertën më të mirë për president.

“Slogani ynë është ‘Ramushi për president’ për arsye se mendojmë që e kemi ofertën më të mirë, që për momentin Kosova ka një njeri që është dëshmuar, ka një lidership të fortë, të dëshmuar dhe vizionar”, u shpreh Ejupi.

Ajo përmendi gjithashtu se Haradinaj është personi më i përshtatshëm për të qenë president, sepse sipas saj, dialogu që e pret Kosovën me Serbinë kërkon një njeri që të ekuilibrojë pushtetin dhe të vendosë një stabilitet të brendshëm, karakteristika këto të kryetarit të AAK-së.

Pranvera Ejupi foli gjithashtu dhe për vijimin e fushatës, ku theksoi se në qëndrimin e saj programi i tyre politik, i mbështetur tek ekonomia, siguria, sundimi mbi ligjin, mirëqenia dhe politika e jashtme, është i mirëpërpiluar.