Kurti e Osmani vazhdojnë fushatën në Dragash: Të parët do dalim ne

Kreu i LVV-së së bashku me u.d e presidentes, Vjosa Osmanin kanë vazhduar me fushatën e tyre zgjedhore edhe në qytetin e Dragashit.

Kurti nga Dragashi ka thënë se duhet të dalin që të gjithë të votojnë sepse u duhen 61 deputetë për ta ndryshuar Kosovën. “S’ka njeri që s’e dinë kush del i pari, sepse do të dalim ne. Por përveç fitores, na duhen 61 deputetë, prandaj ju duhet të dilni të gjithë të votoni, edhe ata që më 14 shkurt mbushin 18 vjeç. Le ta shfrytëzojmë këtë të drejtë për ta ndryshuar Kosovën në të mirën e të gjithëve”, tha ai.

Po ashtu në këtë takim ka folur edhe kandidatja për presidente nga radhët e LVV-së, Vjosa Osmani e cila bëri thirrje që të mos lejohet keqpërdorimi i votës ashtu siç pretendon ajo, qysh ka ndodhur tash e 20 vite më parë.

Sipas saj qytetarët nuk do ta çojnë votën poshtë, por do ta ruajnë si sytë e ballit. “Mos lejoni që sërish vota juaj të keqpërdoret dhe të tjetërsohet, e drejta juaj dhe e fëmijëve tuaj, nga ata që e tjetërsuan këtë të drejtë tash e 20 vjet. Bashkohuni me ndryshimin e madh që po e shohim në të gjithë Kosovën. Ju garantoj që kudo në Kosovë qytetarët më nuk do ta çojnë votën poshtë, por do ta ruajnë si sytë e ballit”, tha ajo./Zëri