Mërgimtarët të pakënaqur me votimin përmes postës
Kanë ngelur edhe pak ditë para zgjedhjeve të parakoshme në Kosovë, proces ky që ka ngjallur interesim të madh të diasporës. Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve konstatoi se nga 130 mijë e e 168 aplikime janë verifikuar 102 mijë e 100 qytetar, një rritje prej 225 për qind krahasuar me aplikimet në zgjedhjet e vitit 2019.
Megjithatë, Diaspora e Kosovës po ankohet se votimi me postë është një proces i ndërlikuar dhe i kushtueshëm, ndërsa KQZ arsyetohet se janë duke zbatuar ligjet në fuqi.
Për 25 vjeçarin Arlind Alidema, që jeton prej tre vitesh në SHBA, pjesëmarrja në zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit është shumë e rëndësishme.
Arlindi thotë se ndoqi të gjitha procedurat e aplikimit për të votuar me postë, por mbeti i zhgënjyer kur pa listën e votuesve të publikuar në faqen e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.
“Unë për vete si të gjithë i përcolla rregullat në afat kohor. Prita mos po më telefonojnë, nuk më telefonuan. Në momentin që treguan se do ta publikojnë listën e pashë që emri im nuk është në listë. Për mua ishte shokuese dhe hyra të shoh mos kam harruar ndonjë të dhënë ose datë. E pashë që është në rregull, kopja e letërnjoftimit ishte pjesë e emailit”, thotë ai.
Arlindi priste që procesi të ishte më i lehtë sesa në zgjedhjet e vitit 2019, kur ai thotë se u lejua të votojë nga Amerika.
“Sivjet e pashë që u ndërlikua edhe më shumë pa nevojë”, shton Arlindi në një intervistë për Zërin e Amerikës.
Aplikantët që nuk janë miratuar kishin mundësi ankese në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, vetëm përmes postës.
PZAP tha për Zërin e Amerikës se në adresë të tyre ka mbërritur një numër i konsiderushëm ankesash të cilat po shqyrtohen.
Edhe shqiptaro-amerikani Esad Gjonbalaj është i pakënaqur me procesin, pasi aplikimi i tij u verifikua, ndërsa ai i bashkëshortes së tij jo. ndonëse të dy kishin aplikuar së bashku.
Por ky nuk është problem i vetëm që ai ka. Vendimi i KQZ-së që votat me postë duhet të mbërrijnë në Kosovë para ditës së zgjedhjeve, i la zotit Gjonbalaj vetëm një mundësi, ta dërgojë votën me postë të shpejtë, që kushton mbi 100 diollarë, për t’u siguruar që vota e tij do të numërohet.
“Mërgata është shtyrë që të kryejë shërbimet me postë të shpejtë, postë e cila ka kosto jashtëzakonisht të madhe. Mendoj që KQZ-ja nuk është duke zbatuar ligjin, por mendoj që është duke penalizuar diasporën shqiptare me mënyrën e sjelljes dhe trajtimit të saj. Le ta dinë edhe anëtarët e KQZ-së se nuk i kanë të gjithë mundësitë të pagujnë nga 160 dollarë për një votë. Ka familje që janë fillestare, ka familje që thotë fjala e popullit nuk i ka marrë Amerika me të mirë”, thotë ai.
KQZ thekson se nuk është në dorën e saj, pasi ajo duhet të zbatojë ligjet në fuqi.
“Tashmë me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese është specifikuar edhe afati kohor ashtu siç e prasheh edhe ligji për zgjedhjet e përgjithshme, që do të thotë se fletvotimet nga jashtë vendit përmes postës duhet të pranohen nga KQZ-ja para ditës së zgjedhjeve, ashtu siç përcaktohet me rregullat e KQZ-së në këtë rast deri më datë 12 shkurt”, thotë për Zërin e Amerikës Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve
Mark Gjonaj, anëtar i Këshillit Bashkiak të Nju Jorkut dhe veprimtar aktiv për çështje të emigracionit në Shqipëri dhe Kosovë thotë se ky proces po përjashton nga vendimmarrja ata që ndihmuan shtetndërtimin e Kosovës.
“Duke e ndërlikuar procesin dhe duke e bërë atë shumë të kushtueshëm, u pamundëson të drejtën e votës njerëzve që kanë ndihmuar në ndërtimin e Kosovës. Atyre që ndihmuan në shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Atyre që vuajtën, ndihmuan, luftuan dhe derdhën gjak, sot po u thuhet faleminderit për shërbimin tuaj, qëndroni të gatshëm të veproni kur na duheni, por ne e dimë se çfarë është më mirë”, tha zoti Gjonaj.
Ai u bën thirrje qytetarëve me të drejtë vote qëp ta ushtrojnë këtë të drejtë.
“E di se është barrë financiare, ishte një proces shumë i ndërlikuar, por vota juaj është për ju, për të ardhmen tuaj dhe popullin e Kosovës”, përfundon zoti Gjonaj.
Besnik Pula, Profesor i Asocuar i Shkencave Politike në Universitetin “Virginia Tech”, thotë se vështirësitë e procesit mund të zbehin interesimin e madh të diasporës për pjesëmarrje në këto zgjedhje.
“E drejta kushtetuese për ta ushtruar të drejtën e votës nuk është e drejtë nëse nuk ekziston mundësia për ushtrimin e saj, nëse ka pengesa që vendosen në mënyrë të drejtpërdrejtë, ose jo të drejtpërdrejtë. Fletvotimi botohet vetëm 10 ditë para datës së zgjedhjeve dhe duhet të paguhen shuma marramendëse për ta transportuar votën deri në Kosovë, vetëm që ajo të arrijë atje me kohë, sepse KQZ-ja nuk i pranon votat që arrijnë pas datës së zgjedhjeve. Kjo është një mënyrë për ta shtypur votën e diasporës”, thotë Besnik Pula, Profesor i Asociuar në Universitetin Virginia Tech.
KQZ thotë se duhet të mirret parasysh fakti se këto janë zgjedhje të parakohshme dhe koha e organizimit të tyre është shumë më e shkurtër krahasuar me afatet në zgjedhje të rregullta.
Në zgjedhjet e vitit 2019 numri i aplikimeve për të votuar me postë ishte 40 mijë e 313. Prej tyre ishin miratuar 35 mijë e 87 ose 87 për qind e aplikimeve.
Aplikimet për këtë vit janë shtuar me 225 për qind, me mbi 130 mijë e 168 aplikues.
Prej tyre janë miratuar 102 mijë e 100 votues ose 78.4 për qind e totalit të aplikuesve.
Këtë vit KQZ refuzoi mbi 28 mijë e 68 aplikues ose 21.5 për qind, ndërsa zgjedhjet e kaluara kishte refuzuar 5 mijë e 226 aplikues ose 12.9 për qind.