Osmani flet për listën e saj: Jam vetëm një nga 112 themeluesit e iniciativës

''Nga ai vullnet për ndryshim përkundër faktit që të tjerët u bënë bashkë për ta rrëzuar këtë bashkim vullneti, ai vullnet qytetar asnjëherë nuk është shuar. Përkundrazi nga 6 tetori e tutje ka shkuar vetëm duke u rritur, dhe kryesisht është personifikuar me bashkëpunimin si binom që e kemi pasur me [Albin] Kurtin''.

Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani, njëherit kandidate për presidente, në Rubikon me Adriatik Kelmendi, ka folur për herë të parë rreth zhvillimeve të fundit politike, që nga përfshirja e listës së saj në Vetëvendosje, për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Ndërsa ka treguar arsyet se pse ende nuk u zyrtarizua iniciativa e saj, Osmani, theksoi që koalicioni me Vetëvendosjen, nuk shuan përpjekjet për ta realizuar këtë rrugëtim të saj, njofton Klan Kosova.

”Koalicioni me Vetëvendosjen assesi nuk shuan përpjekjet tona për konsolidimin e iniciativës sonë politike. Por meqë zgjedhjet u shpallën tani, janë disa procedura. Rrjedhimisht shpallja e zgjedhjeve neve na ka dhënë në një situatë, ku fokusin e kemi tek takimet me qytetarët tanë, puna e madhe në terren dhe diskutimet me ta”.

”Por jam e bindur që pas zgjedhjeve, jam e bindur që kjo iniciativë do të vazhdojë të konsolidohet mbi parimet në të cilat është ndërtuar sidomos duke parë përkrahjen e madhe, qoftë nga njerëz që kanë një përvojë të gjatë politike, qoftë nga të rinjtë briliantë që kanë vullnetin dhe entuziazmin për të hyrë dhe kontribuojnë në politikë”.

”Arsyet themelore, nëse mund t’i ndaja në dy shtylla kryesore: Të parat kanë të bëjnë me momentumin politik në të cilin është Republika e Kosovës. Më 6 tetor, qytetarët tanë treguan qartë vullnetin e tyre për ndryshim. Për ndryshimin e gjeneratave politike, dhe nuk po flas këtu për moshë, sa po flas për mendësi politike”.

”Nga ai vullnet për ndryshim përkundër faktit që të tjerët u bënë bashkë për ta rrëzuar këtë bashkim vullneti, ai vullnet qytetar asnjëherë nuk është shuar. Përkundrazi nga 6 tetori e tutje ka shkuar vetëm duke u rritur, dhe kryesisht është personifikuar me bashkëpunimin si binom që e kemi pasur me [Albin] Kurtin”.

”Dhe bashkëpunim ky që duke vënë gjithnjë në rrafsh të parë, interesin qytetar dhe interesin e vendit, ka lënë gjithnjë anash dallimet që mund te kemi pasur në të kaluarën”.

”Arsyeja e dytë është kryesisht procedurale për shkak se ne nuk arritëm për shkak të kohës së shkurtë. Por, kjo nuk do të thotë që nuk do të vazhdojnë përpjekjet dhe puna në terren në mënyrë që kjo iniciativë të konsolidohet në të ardhmen”.

Ajo ka bërë të ditur se janë 112 anëtarë si themelues të iniciativës së saj, njofton Klan Kosova.

”Unë jam vetëm një nga 112 themeluesit e kësaj iniciative, që e kemi në aktin tonë themeltar. Nuk kemi pasur akoma zgjedhje të brendshme në përputhje me statutin që e kemi hartuar, por kurdo që mbahen ato zgjedhje do të definohen ato struktura”.

”Ne nuk kemi pasur akoma zgjedhje. Nuk është regjistruar, siç dihet për arsyet tashmë të njohura. KQZ nuk ofronin asnjë mundësi që ky afat për regjistrim të shkurtohej. Në mënyrë që të evitohen problemet, kemi lënë që ky proces të bëhet në tërësi menjëherë pasi të përfundohen zgjedhjet, në mënyrë të ngadaltë, mirë dhe sigurt”.