Haradinaj: Presidenti duhet të përballet me Serbinë

Kandidati për president nga AAK-ja, Ramush Haradinaj, ka thënë se kushdo që do ta mbajë postin e presidentit të vendit do të duhet të përballet me Serbinë.

Haradinaj nga një tubim elektoral në Gjilan, ka theksuar se pa një president të zotë në vend është vështirë që të ecin punët, duke thënë se ai mundet që t’i përfundojë punët e Kosovës.

“Listës së dëshmuar të AAK-së me njerëz të zotë të profesioneve të ndryshme dhe që janë të gatshëm me marrë besimin i prij unë. Ka edhe diçka – është presidenti. Presidenti është nyja e procesit zgjedhor. Nuk kemi president, kemi ushtrues detyre. Duhet ta zgjedhim presidentin, sepse pa e zgjedh presidentin nuk mund të krijojmë institucione. Pa një president të zotë e kemi zor me i ec punët tona. Kush mund t’i kryjë punët e Kosovës si president? Besoj që muj me i kry”, tha Haradinaj.

Po ashtu ai thotë se përvoja e tij në përballje me Serbinë është ndryshe. Ai thotë se ka një jetë në përballje me Serbinë dhe sipas tij, ky shtet nuk ka mundur me e “thy”.

“Duhet ta fuqizojmë Kosovën në planin e brendshëm. Duhet ta anëtarësojmë Kosovën në NATO. Duhet të përballemi edhe me Serbinë e cila po vazhdon të bllokojë Kosovën. Deri tash janë përmendur dy kandidatë për president. Është Vjosa Osmani për të cilën kam respekt si intelektuale dhe kolege në politikë. Për përballjen me Serbinë përvoja ime është ndryshe – historia e tregon ndryshe. Kam pas një jetë në përballje me Serbinë dhe deri sot Serbia nuk ka mbërri me më thy as mu, as Kosovën”, ka thënë ai.

“Herën e parë jam përballë frontalisht me ta më 6 maj 1997 në Qafë të Mullarit në kufirin shqiptaro-shqiptar. Aty më është vrarë vëllai Luani dhe e kemi tërhequr trupin e tij. Nuk e kemi humbur momentumin e luftës dhe për pak kohë jemi kthyer në vendluftim. Herën e dytë e kam pasë më 24 mars 1998 në familje. Na ka rrethuar ushtria e Millosheviqit me krejt çka ka pasë – me polici, ushtri, helikoptera, mjete të blinduara dhe tankse. Gjithë ditën ka zgjatur lufta dhe asnjë prej neve që kemi qenë brenda nuk jemi vrarë në rrethim të parë. Në rrethim të tretë na janë vrarë dy bashkëluftëtarë dhe një kushëri. Në vazhdimësi kanë vazhduar presionet me na dobësu. Prapë jam kthyer në detyrë si kryetar qeverie dhe sot jam duke e kërkuar votën”.