Haxhiu: Të gjitha votat për Kurtin do të numërohen
Anëtarja e Kryesisë e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se të gjitha votat për numrin një në listën e LVV-së do të numërohen, raporton “Zeri.info”.
Haxhiu theksoi se vota për numrin një në listën e LVV-së, numër ky të cilin e mban kreu i kësaj lëvizjeje, Albin Kurti, nuk është votë e pavlefshme as për subjektin dhe as për kandidatët e tjerë.
Sipas saj, çdo votë për numrin një është votë për Kurtin.
“Të gjitha votat për numrin 1 në listën e LV numërohen. Vota për numrin 1 në listën tonë nuk është votë e pavlefshme as për subjektin dhe as për kandidatët tjerë.
Vota për numrin një është votë për praninë që nuk mund të bëhet mungesë.
Çdo votë për numrin një është votë për Albin Kurtin. Është votë kundër padrejtësisë që u bë nga institucionet e kapura”, ka shkruar ajo në “Facebook”.
Sipas Haxhiut, disa pushtetarë me anë të kontrollit që kanë mbi KQZ-në e institucione të tjera e kanë bërë këtë veprim vetëm që të pamundësojnë kandidimin e Kurtit.
“Disa pushtetarë me anë të kontrollit që kanë mbi KQZ e institucione të tjera, e bënë këtë veprim vetëm që të pamundësojnë atë që dihet, që Kurti do të legjitimohet kësaj radhe me një numër shumë të madh e historik votash. Ata i tremben legjitimimit dhe mbështetjes për Kurtin sepse e dinë që atë legjitimitet ai do ta përdorë për ta luftuar korrupsionin dhe për ta zhvilluar vendin. Por Kurti mund ta marrë legjitimitetin edhe kështu, duke votuar numrin 1 në listë prandaj pas numrit 127, numrit të Lëvizjes, vazhdoni me numrin 1!”, ka shkruar ajo.
Ndërsa, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se nëse votohen numrat e kandidatëve që nuk janë certifikuar, ato vota nuk numërohen.
Sipas KQZ-së, vota numërohet për partinë dhe kandidatët e certifikuar, ndërsa nuk llogaritet vota që i jepet atij kandidati që s’është certifikuar. /Zëri