KQZ-ja tregon se kur është i pavlefshëm një fletëvotim
Zëdhënësi për media në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), Valmir Elezi, ka dhënë detaje për atë se kur është një fletëvotim i pavlefshëm.
Ai për "Klankosova.tv" ka thënë se nëse shënjohen më shumë se pesë kandidatë në një fletëvotim, atëherë ai është i pavlefshëm.
“Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, i ndryshuar në vitin 2010, ka qartësuar mënyrën e votimit. Sipas nenit 110, paragrafi 4, votuesi pajiset me një fletëvotim në zgjedhje dhe a). e shënjon atë me votën për një subjekt politik, dhe b) mund që po ashtu të shënojë atë me vota për deri në 5 kandidatë nga lista e subjektit politik”.
“Ndërsa, në paragrafin 5 theksohet se se “nëse një fletëvotim shënjohet për më shumë se 5 kandidatë, atëherë numërohet vetëm vota e hedhur për subjektin politik”. Pra, votuesi duhet të zgjedhë vetëm 1 subjekt politik dhe më së shumti 5 kandidatë nga ai subjekt politik”.
Elezi ka treguar se si shkon procedura e evidentimit të të dhënave nga numërimi.
“Pas përfundimit të votimit, anëtarët e Këshillit të Vendvotimit, të cilët përfaqësojnë subjektet politike, numërojnë fillimisht votat për subjektet politike, duke krijuar dengje me votat e vlefshme për secilën prej tyre. Pas këtij procesi, Këshilli i Vendvotimit numëron pjesën tjetër të fletëvotimit: votat e kandidatëve”.
“Këto të dhëna paraqiten në Fletat Llogaritëse të Kandidatëve (FLLK) për secilin fletëvotim. Në këto fleta paraqiten të dhënat për çdo numër. Pas kësaj, bëhet bartja e totalit të votave për secilin kandidat të certifikuar”.
“Pra, nëse një subjekt politik ka të certifikuar 4 kandidatë dhe në fletëvotim janë shënjuar 5 numra, në FLLK evidentohen këto 5 shënjime, por ato nuk barten të gjitha në Formularët e Rezultateve të Kandidatëve. Në këta formularë bartën vetëm votat e kandidatëve të certifikuar”, ka thënë Elezi.