Hoti i kundërpërgjigjet Kurtit: S’do t’i vijë shansi atij për ta marrë pushtetin

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka komentuar deklaratën e kreut të LVV-së Albin Kurtit, i cili tha se nëse emërohet në krye të qeverisë do të shqyrtojë të gjitha vendimet e qeverisë “Hoti”.

Hoti theksoi se këto deklarata janë vetëm trillim i Kurtit dhe sipas tij Kurtit nuk do t’i vijë asnjëherë shansi të marrë pushtetin.

“E para është veç fiksion i tij, s’ka me i ardhë shanca asnjëherë atij për të marrë pushtetin, ne njëherë ja kemi dhënë pushtetin, edhe dy herë e ka shkel Kushtetutën, më nuk do t’ia japin mundësinë qytetarët që ta marrë pushtetin”, ka thënë Hoti në një deklaratë për media.

Kandidati për kryeministër tha se vendimet që ka marrë janë të rëndësisë shtetërore.

“Vendimet që i kam marr unë janë vendime të rëndësisë shtetërore, tash imagjino nëse mund të kontestohet marrëveshja e Washingtonit, ose vendimet për të vendos rend e ligj, ose vendimet për të shkarkuar drejtorin e Policisë, të cilit ai i ka lëshuar mirënjohje e që më vonë shkoi në PDK. Të gjitha këto janë parulla për fushatë pa asnjë përmbajtje”, ka deklaruar Hoti. /Zëri