Hoti: Me 700 milionë euro dhe me ndihmën e diasporës, Kosova e ka kaluar krizën e pandemisë

Kandidati për kryeminsitër nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti në një takim gjatë ditës së sotme me elektoratin në Deçan dhe Junik, ka thënë se me 700 milionë euro investime publike dhe me përkrahjen e remitencave nga diaspora, Kosova e ka kaluar krizën ekonomike të shkaktuar nga pandemia.

“E falënderoj diasporën tonë të cilat me remitencat e tyre, më të mëdhatë që mbahen mend, gjatë vitit 2020 na ndihmua që së bashku me 700 milionë euro investime direkte në ekonomi ta tejkalojmë me sukses krizën e shkaktuar nga pandemia. Përderisa vendeve të rajonit ju nevojiten 3-4 vite për ta tejkaluar krizën e pandemisë, ne me përkrahjen e diasporës e kemi kaluar për 6 muaj”, ka thënë Hoti.

Hoti tha se vetëm nga Marrëveshja e Uashingtonit, Kosova fiton 1 miliardë dollar investime direkte, ndërsa do të aktivizohen edhe 5 miliardë të tjerë në katër vitet e ardhshme.

“Me Komisionin Evropian kemi të kontraktuara 700 milionë euro investime. Ne e kemi të qartë se çfarë duhet të bëjmë në shëndetësi pas gjithë atyre reformave të kemi nisur”, shtoi kandidati i LDK-së për kryeministër.

Hoti e ka falënderuar Ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj për punën e suksesshme që ka bërë në manxhimin e pandemisë.

Gjatë vizitës në Junik, Hoti foli edhe për planin e tij në fushën e turizmit.

“Ne do të ofrojmë grante dhe kredi për ndërmarrjet në turizëm, do të zhvillojmë komplekse turistike nëpërmes partneritet publik-privat, do të ngritët infrastruktura për turizëm, do të përgatiten hartat turistike digjitale (pikat kulturore, arkeologjike, fetare, sportive, etj) dhe do të subvencionohet turizmi rural”, pohoi Hoti.

Ai po ashtu ka vizituar edhe Banjën e Pejës, ku ka biseduar me pronarin për projektin e tij për nxitjen e sektorit privat. /Zëri