Bytyçi: Kurti po mundohet të imitojë marshin e Leninit nëpër komuna
Zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi, ka komentuar fushatën zgjedhore të cilën po bën Lëvizja Vetëvendosje, raporton Zeri.info.
Sipas Bytyçit, lideri i LVV-së, Albin Kurti “po mundohet që të imitojë marshin e Leninit nëpër komuna, me demek populli është mbrapa tij”.
Bytyçi thotë se LVV-ja në hapjen e fushatës dha një paralajmërim se socialimi/komunizmi është duke u kthyer.
“Albin Kurti po mundohet të imitojë marshin e Leninit nëpër komuna, me demek populli është mbrapa tij. Njëjtë veproi Lëvizja Vetëvendosje në hapjen e fushatës duke i vendosur mindilat e kuqë në stilin e Titos, një paralajmërim se socializmi/komunizmi është duke u kthyer. Siç duket në këto zgjedhje do të ketë një betejë zgjedhore në mes të Demokracisë (liberale) dhe Social Demokracisë (socializmit/komunizmit)”, ka shkruar Bytyçi në “Facebook”.
Ai thotë se populli i Kosovës e ka “pasur fatin (e keq) të jetoj në të dyja sistemet”.
“Por vetëm njëri ofron progres e mirëqenie, e këtu qytetarët duhet të zgjedhin, a dëshirojnë Republikë apo një babë”, ka shkruar Bytyçi.
Kujtojmë se dje Lëvizja Vetëvendosje bëri hapjen e fushatës zgjedhore në Prishtinë. Aktivistë të kësaj partie në koka mbanin shami të kuqe. /Zëri