Hoti: Alternativa e LDK-së për shtet demokratik përballet me modelin autoritar

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Avdullah Hoti, ka thënë të enjten gjatë tubimit elektoral në Istog se duke votuar për LDK-në qytetarët e Kosovës votojnë për projektin e shtetit të Kosovës, që e kishte nisur presidenti Rugova.

Ai potencoi se falë qeverisjes së LDK-së Kosova është hequr nga izolimi dhe sanksionet amerikane, duke e mbyllur vitin e kaluar me vendimin që FSK-ja si pjesë e ushtrisë amerikane të shërbejë në misione paqeruajtëse. Gjatë kësaj kohe, tha Hoti, është hequr nga diskursi fjala “shkëmbim i territoreve” dhe fjala “korrupsion”.

“Të dyja këto çështje janë falë qeverisjes sonë të matur dhe me kredibilitet. Andaj më 14 shkurt nuk do të ketë alternativa, LDK-ja është alternativa e vetme, nuk ka alternativë tjetër, këta që kërkojnë besimin e qytetarëve nuk lënë asgjë pa bërë për të fituar një grusht vota. Janë të njëjtit që na lanë pa viza, janë ata që e kanë djegur Kuvendi e Kosovës, janë të njëjtit që kërkojnë votën tuaj, me këta jemi duke u përballur. Këta nuk paraqesin alternativa, më 14 shkurt qytetarët e kanë LDK-në e kanë rendin demokratik dhe në anën tjetër e kanë modelin autokrat të qeverisjes që nuk na dërgon askund”, tha Hoti.

“Ne nuk jemi njerëz të panjohur, as njerëz që eksperimentojmë me shtetin e Kosovës. Voto për LDK-në është votë për vizionin për shtet të Kosovës të presidentit Rugova. Ne kemi dhënë dëshmi gjatë kohës sa kemi qeverisur, pasi kemi kthyer normalitetin në vend. Jemi ndër vendet e vetme në regjion që me masat për rimëkëmbje kemi përmbyllur krizën më të madhe që kishim në këto dekada. Pakoja jonë dhe masat e rimëkëmbjes ekonomike kanë rigjeneruar 700 milionë euro, të cilat janë investuar në ekonomi”.

Hoti tha: “Pas disa javëve në Qeveri kemi marrë ftesë për në Shtëpinë e Bardhë, nuk gjetëm harta as thika, por gjetëm marrëveshje që fuqizon Kosovën në arenën ndërkombëtare, e cila u përmbyll më një njohje të re nga Izraeli, për të cilën unë e kolegët e mi jemi fyer në Kuvend. U kam kërkuar oponentëve politikë që neve të mos na thonë asgjë, por ta falënderojnë popullin izraelit për këtë njohje”.

Kandidati i LDK-së për kryeministër u shpreh i bindur se gjatë vitit 2021 dialogu me Serbinë do të përfundojë me njohje reciproke, ndërsa me ndihmën e aleatëve evropianë të LDK-së do të sigurohet edhe liberalizimi i vizave. /Zëri