Kurti dhe ambasadori Abbott flasin për zgjedhjet e 14 shkurtit
Kreu i LVV-së, Albin Kurti është zotuar se drejtësia e punësimi janë dy çështjet për të cilat do të angazhohet, ndërkaq ka thënë se luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar do të jetë në qendër të angazhimit për një shtet demokratik në shërbim të të gjithëve e pa dallim.
Këto zotime Kurti i bëri sot në takimin që kishte me Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, sekretarin e dytë të ambasadës, Richard Le Vay, dhe shefin e misionit te eksperteve që kane ardhur në Kosovë për të monitoruar zgjedhjet e 14 shkurtit, Domenic Hoëell.
“Zgjedhjet që po afrojnë ishin temë e këtij takimi, mbarëvajtja e tyre dhe fushata e prioritetet e qeverisjes tonë pas 14 shkurtit. Drejtësia e punësimi janë dy çështjet për të cilat do të angazhohemi, ndërkaq luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar do të jetë në qendër të angazhimit tonë për një shtet demokratik në shërbim të të gjithëve e pa dallim”, thuhet në njoftimin e LVV-së.
Më tej thuhet se Kurti dhe Abbott u pajtuan t’i përparojnë edhe më tej marrëdhëniet e mira mes dy shteteve./Zëri