Bytyqi: AAK-ja synon vendin e parë në këto zgjedhje
Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Hamdi Bytyqi, tha se partia e tij synon vendin e parë, pasi, siç thotë ai, AAK-ja e ka dëshmuar se di të kontribuojë për shtetin, raporton "Ekonomia Online".
Nëse arrin të fitojë mandatin e deputetit, Bytyqi thekson se do të fokusohet në përmirësimin e arsimit, pasi sipas tij mungon ndërlidhja e arsimit me tregun e punës.
“Realisht mendoj që lëmit për të cilat më shumë jam i thirrur më kanë bërë që të japë kontribut në këtë drejtim një periudhë 30 vjeçare në arsim, por edhe një periudhë dhjetë vjeçare në kulturë, kështu që kjo është sfidë. Ka qenë kërkesë e bashkë votuesve të mi e që është privilegj të jem edhe kandidat për deputet”, u shpreh ai.
“Mendoj se sferë kryesore do të jetë arsimi profesional pastaj kultura por edhe ekonomia që ndërlidhet me arsimin profesional sepse vendit i mungon një qasje te arsimi profesional që lidhet me ekonominë sepse ka punë shumë. Na kemi punëtorë mirëpo nuk kemi profesionistë që kërkohen në treg të punës”, tha tutje ai.
Bytyqi i konsideron të vonuara veprimet e Qeverisë së mëhershme sa i përket masave për parandalimin e përhapjes së Covid-19, duke shtuar që kjo ka ndodhur si pasojë e inateve politike.
“Dëmtimi ka qenë evident në Kosovë, mirëpo ka pasur vonesa sa i përket reagimeve që kanë ndodhur më shumë për inate politike që sinqerisht ndonjëherë na kanë shkaktuar edhe neveri. Është dashur që veprimet të jenë të menjëhershme sepse kemi qenë në një kohë krize pandemie”, shtoi ai.
Tutje, ai shtoi se AAK-ja hynë në garë për të dalë e para.
Bytyqi tha se partia e tij ka treguar se dinë të punojnë dhe të kontribuojnë për shtetin.
“Gara është garë edhe të thuhet se nuk ka synime për vend të parë kjo nuk diskutohet. Ne synojmë jemi një forcë politike mund të them e qendrës që në kohë të caktuar kemi dhënë shembuj që dimë të punojmë, që dimë të kontribuojmë për shtetin dhe kemi treguar që nuk jemi të njëanshëm sa i përket aspekteve politike por dimë të kontribuojmë aty ku është e mira e shtetit”.
“Kështu që jemi një parti në rritje po flas prej vendit ka vijë nga Theranda është parti që funksionon në formën e duhur me një strukturë të duhur me një kryetar punëtorë dhe pikërisht nisemi me sloganin punë e mirë sepse janë bërë ndryshime të mëdha”, u shpreh ai.
Më tej, Bytyqi përmendi tri arsye pse qytetarët e Kosovës duhet ta votojë atë.
“Janë tri arsye pse duhet të më votojë populli mua: E para që kontributi im 30 vjeçare në arsim është evident. Gjenerata të ndryshme e vlerësojnë këtë, pastaj me një biznes stabil 20 vjeçare por edhe njëkohësisht me një kulturë që në momente të caktuara kemi treguar që dimë ta orientojmë rininë nga kultura sepse me vite të tëra kemi punuar në kulturë”.
“Dhe unë them qe nuk ka punë më të mirë sesa ta bësh një të ri të ndihet krenar. Kështu që arsyeja kryesore është që duhet t’i orientojmë rininë drejt suksesit në mënyrë që ai të ndihet krenar me punën e tij”, përfundoi ai.