Haxhiu: KQZ-ja dhe PZAP-ja po tallen me ankesat e mërgimtarëve

Albulena Haxhiu nga LVV-ja ka kritikuar KQZ-në dhe PZAP-në që sipas saj nuk po merren me ankesat e mërgimtarëve të cilëve, sipas saj, nuk po iu mundësohet votimi për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Sipas saj, PZAP-ja ka kaluar çdo kufi dhe po kërkon nga mërgimtarët që nuk janë përfshirë në listën e votimit, që ankesat e tyre t’i dorëzojnë me postë dhe jo me e-mail, transmeton Zeri.info.

“KQZ dhe PZAP kanë kaluar çdo kufi lidhur me votat e mërgatës. Mijëra bashkatdhetarë nuk janë përfshirë në listën e votimit jashtë vendit ndërsa PZAP tallet dhe kërkon që ankesat pranohet vetëm me postë dhe jo me email!”, ka shkruar Haxhiu.

Sipas saj, gjyqtarët e këtij institucioni po i shërbejnë atyre "që do të ndëshkohen me votën e qytetarëve më 14 shkurt".

“Kjo tallje, kjo padrejtësi e ky absurd duhet të marrë fund. Gjyqtarët e kanë për obligim të mbrojnë të drejtat e qytetarëve dhe jo t'i shërbejnë atyre që do të ndëshkohen me votën qytetare me 14 Shkurt!”, ka shkruar ajo./Zëri