Vëzhguesja e zgjedhjeve: Asnjë parti s'po respekton masat anti-COVID
Partitë politike në Kosovë nuk i kanë respektuar rregullat anti-Covid dhe kanë vijuar që para datës 3 shkurt fushatën e tyre për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.
Kështu u shpreh në një intervistë për Euronews Albania, Mexhide Demolli, përfaqësuese e organizatave të vëzhguesve vendorë që do të monitorojnë fushatën dhe votimet.
“Kemi parë shumë parti politike duke zhvilluar shumë tubime, duke anashkaluar edhe masat anti-Covid që janë në fuqi, ndaj fushata mund të them se ka nisur shumë më herët se data 3 shkurt në Kosovë,” – tha Demolli duke vënë në dukje se shpesh partitë politike nuk i respektojnë rregullat zgjedhore.
Sipas rregullave anti-Covid nuk lejohet që në mjediset e mbyllura nuk lejohen aktivitete me më shumë se 30 persona dhe në mjediset e hapura jo më tepër se 50 persona. Demolli tha se ky rregull është thyer nga të gjitha partitë dhe kjo është vënë re nga vetë publikimet e aktiviteteve të partive. Ajo bëri thirrje që partitë t'i marrin seriozisht masat pasi Kosova po vijon të vuajë humbje njerëzish nga përhapja e infeksionit.
Prej nisjes së pandemisë në Kosovë janë pikasur mbi 60 mijë raste me infeksion, prej së cilave 52 mijë janë shëruar, rreth 6,400 mbeten ende me mbartje të virusit, ndërsa 1,502 persona kanë humbur jetën.
Informacionet e para për monitorimin e zgjedhjeve në Kosovë bëjnë fjalë për dhjetëra prokurorë e mijëra policë që do të angazhohen për të parandaluar parregullsitë. Vëzhguesja Demolli tha se krahas tyre do të jenë dhe organizatat e vëzhguesve të cilat kanë bashkëpunuar vazhdimisht me autoritetet. /euronewsal