Kurti: Prioritet kthimi në normalitet, do të vaksinojmë së paku 60 % të popullsisë
Kreu i LVV-së, Albin Kurti përmes një video-lidhjeje live në “Facebook” ka bërë shpalosjen e programit qeverisës, raporton Zeri.info.
Kurti theksoi se sa i përket programit politik shëndetësor, si prioritet kanë kthimin në normalitet sa i përket pandemisë COVID-19.
Ai theksoi se ndër masat e para që do të ndërmarrin do të jetë vaksinimi i së paku 60% të popullsisë.
“Vaksinimi i së paku i 60% të popullatës, sigurimi i qëndrueshëm i materialeve mbrojtëse, barnave dhe testeve, trajnim i vazhdueshëm i stafit shëndetësor, komunikim transparent, i sinqertë dhe i dendur me qytetarët”, ka thënë ai.
Ndër të tjera, Kurti theksoi se do të fillojnë menjëherë bisedimet me vendet e rajonit e në veçanti Shqipërinë, për përballje më të lehtë të COVID-19.
“Do të fillojmë menjëherë bisedimet me vendet e rajonit me theks të veçantë me Shqipërinë për përballjen e përbashket me pandeminë COVID-19 . Do të përgatitemi dhe aplikojmë për anëtarësim në organizatën botërore të Shëndetësisë”, tha ndër të tjerash Kurti. /Zëri