Vetëvendosje thotë se nuk i është dhënë mundësia të zëvendësojnë dy kandidatët që nuk janë certifikuar
Lëvizja Vetëvendosje, ka akuzuar KQZ-në se po pengon mundësinë që qytetarët e Kosovës që jetojnë në mërgatë të votojnë për zgjedhjet e 14 shkurtit duke mos publikuar fletëvotimet që do duhej ta bënin nga sot.
Anëtari i LVV-së në KQZ, Sami Kurteshi në një konferencë për media, tha se KQZ-ja, po rrezikon gjithë procesin duke vonuar publikimin e fletëvotimeve për të nisur votimi nga diaspora, transmeton Zeri.info.
Kurteshi tha se dy kandidatët e LVV-së të cilët nuk ishin certifikuar nuk janë lejuar të zëvendësohen, duke shtuar se lista e LVV-së do të jetë me 110 kandidatët ashtu siç është propozuar nga fillimi.
“Dy kandidatë nuk janë certifikuar dhe nuk është dhënë e drejta e zëvendësimit të tyre. Lista e LVV-së është me 110 kandidatë ashtu siç është dorëzuar dhe ashtu duhet ta votojnë qytetarët, pas vendimit të PZAP-it dhe Gjykatës Supreme që kanë pamundësuar”, ka thënë Kurteshi./Zëri