Ganimete Musliu e quan psikopat Albin Kurtin

Kandidatja e PDK-së për deputete, Ganimete Musliu ka reaguar pas vizitës që kreu i LVV-së, Albin Kurti bëri në Skenderaj të hënën.

Musliu e ka quajtur psikopat Kurtin, ndërsa ka thënë se nuk po kursen asnjë mjet për të arritur në pushtet, transmeton Zeri.info.

Ish-deputetja nga Skenderaj, ka akuzuar Kurtin se nuk kursen as jetët e njerëzve për siç ka thënë ajo, spektaklet politike.

“Albin Kurti nuk kursen asnjë mjet për të arritur ne pushtet. Sjellja e tij në Skenderaj është vetëm fillimi sepse ky psikopat nuk kursen as jetën e njeriut për spektaklet e tij politike. Albin po të mungojnë vetëm edhe martirët e tu elektoral. Albin sjelljet tua tregojnë se të ka kapë paniku nga sovrani”, ka shkruar Musliu sot në rrjetet sociale.

Më tej ajo ka thënë se PDK-ja nuk ka mbjell urrejtje ndaj asnjë partie politike në Drenicë.

“PDK ka arritë të mbajë në anën e saj votuesin e Drenicës. Nuk është e vërtetë që LDK është rezervuar nga fushatat ne Skenderaj por është tërheq fare kur e ka kuptuar që nuk ka votues. Njejtë qëndron puna edhe me VV. Albini e shfrytëzon dështimin e tij në Skenderaj për spektakël por rezultatin do ta këtë debakël”, ka shkruar ajo.

Musliu ka thënë se Kurti ka ofenduar Drenicën që sipas saj do t’i hakmerret më 14 shkurt.

“Albini e din që Drenica as nuk blihet as nuk shantazhohet. Albini ofendoi Drenicën por meqenëse Drenica është Drenicë Albinit do t‘i hakmerret në mëmyrë demokratike me 14.2.2021. Kush hyn në Drenicë me njësi speciale, mundet të synoj gjithçka por kurrë jo fitimin e besimit të drenicasve. Albin mos u tut me ardhë në Drenicë. Në Drenicë duhet të tuten vetëm kriminelët e Serbisë.Ti nëse e konsideron vetën shqiptar s‘ke nevojë me u tutë nga Drenicasit. Ankthi që ti duhet ta kesh nga kjo trevë është një JO e madhe me 14 shkurt 2021. Kjo JO është shigjeta e vetme që do të t‘godasi ty more qyreavec i Facebookut”, ka shkruar ajo./Zëri