Ismaili: Thaçi e Veseli i lanë boshllëk të madh shtetit Kosovës

Kandidati i PDK-së, për deputet, Uran Ismaili, ka thënë se shkuarja e Kadri Veselit e Hashim Thaçit në Hagë, ka lënë boshllëk të madh në shtetin e Kosovës, e këtë gjë më se shumti sipas tij po e ndjen subjekti që ky përfaqëson.

Ismaili në një takim me struktura të PDK-së në Gjilan, deklaroi se për boshllëkun e lënë me largimin e Thaçit e Veselit, flet ngjarja e djeshme sipas tij, e vizitës së Kurtit dhe Osmanit në veri.

”Të gjithë parafolësit e mi folën për boshllëkun e madh që jemi duke e ndjerë secili emocionalisht për kryetarin [Kadri] Veseli dhe presidentin [Hashim] Thaçi”.

”Se shihet se i kanë lënë boshllëk Kosovës, nuk t’vyn ma shumë se dje me pa kur një turmë prej 15 vetësh, t’i largon nga veriu ata që e konsiderojnë veten që janë të denjë me përfaqësu votën e qytetarëve”.

”E këtu na kujtohet gjithnjë e më shumë se kur ka shkuar Presidenti ynë [Hashim] Thaçi në veri, jo veçse ka shku, por ka mbajtur qëndrim dhe ka defiluar në të gjitha anët e veriut dhe i ka bërë të ndihen shqiptarë edhe atje, i ka bërë të ndjehen të sigurtë ”që nëse ju në një formë ndjeheni të kërcënuar nga këta huliganët, këtu na keni, këtu do vijmë në çdo cep””.

”Paramendoni se si ndihen sot ata qytetarë që jetojnë në veri, si ndihen të kërcënuar kur ajo që konsideron veten komandante supreme, ikë largohet – por ata qytetarë të vendit tanë nuk largohen, rrinë çdo ditë atje”.

”Ky boshllëk i shtetit po shihet çdo ditë, po ndjehet çdo ditë”.

”E këtë boshllëk të shtetit po e ndjen më së shumti PDK. Ne jemi duke e ndje shumë, por kur hyra në sallë e kuptova që, amaneti i tyre politik është kumtuar shumë drejt në gjithë Kosovën por edhe në Gjilan, që ata kanë mund ta arrestojnë Kadri Veselin e Hashim Thaçin, por secili prej nesh jemi sot Hashim Thaç e Kadri Vesel”, u shpreh ai para të pranishmëve, njofton Klan Kosova.