Të martën nis votimi nga diaspora

Qytetarët që jetojnë jashtë Kosovës dhe që janë regjistruar dhe aprovuar nga KQZ-ja për të votuar në zgjedhjet e 14 shkurtit, do të nisin të votojnë nga kjo e martë.

Kështu ka bërë të ditur sot zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka thënë se periudha e regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës është në përmbyllje e sipër, raporton Zeri.info.

Ai tha se KQZ-ja pritet që nesër të dalë me një raport ku do të dihet numri i aplikacioneve që janë pranuar dhe sa prej tyre janë refuzuar.

“Shërbimi votues i KQZ-së është në përmbyllje e sipër të periudhës së regjistrimit dhe verifikimit të aplikacioneve për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës. Gjatë ditës së nesërme do të kemi një raport të detajuar se sa është numri i aplikacioneve që janë pranuar deri më datën 21 janar, sa prej tyre janë aprovuar dhe sa janë refuzuar”, ka thënë Elezi.

Ai bëri të ditur se të gjithë ata që kanë arritur të regjistrohen dhe u është pranuar aplikacioni, do të kenë mundësi të votojnë me postë nga data 2 deri më 12 shkurt.

“Të gjithë qytetarët që kanë arritur të regjistrohen si votues jashtë Kosovës, pasi kanë plotësuar kriteret ligjore, do të mund të votojnë me postë duke filluar nga data 2 shkurt. Fletëvotimet duhet të pranohen deri më datën 12 shkurt. Nesër do të kemi edhe të dhëna sa i përket qendrës së thirrjes lidhur me verifikimin e aplikuesve përmes telefonit dhe deri ku ka shkuar ky proces”, tha Elezi. /Zëri