PDK-ja i quan “aventurierë” Kurtin e Osmanin që “turpëruan” Kosovën, kërkojnë të dënohen me votë më 14 shkurt
Kandidati për kryeministër nga radhët Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka akuzuar për të padenjë për pozitën e saj, Vjosa Osmanin dhe e ka quajtur asistente të Albin Kurtit.
Sipas Hoxhajt, Kurti e Osmani, sot kanë “poshtëruar dhe turpëruar” vendin.
“Për më shumë se një dekadë, Albin Kurti na thoshte “shkoni në Mitrovicë”, i nxitur nga urrejtja për të provuar se shteti i Kosovës është i paaftë dhe i dështuar. Njeriu që përpiqej të përfitonte politikisht në kurriz të institucioneve tona kur vit pas viti shtrihej sovraniteti dhe rendi kushtetues i Kosovës në veri, sot turpëroi shtetin dhe cënoi rëndë të arriturat në atë pjesë të vendit tonë. Duke abuzuar të gjithë infrastrukturën shtetërore dhe privilegjet e institucionit të presidentit, Albin Kurti i shoqëruar nga asistentja e tij politike, Vjosa Osmani, nëpërkëmbën dhe poshtëruan Republikën e Kosovës dhe rendin kushtetues të saj”, deklaroi Hoxhaj, thuhet në komunikatën për medie.
Përmes kësaj komunikate, PDK-ja e ka dënuar “sjelljen e shëmtuar e të rrezikshme” të Kurtit e Osmanit.
“Përzurja poshtëruese nga një grup huliganësh në veri, e dëshmoi se Vjosa Osmani është e padenjë për atë pozicion dhe e ka shndërruar institucionin e presidentit në një zyrë partie. Partia Demokratike e Kosovës dënon sjelljen e shëmtuar, të pamatur dhe të rrezikshme të dy pretendetëve për pushtet, Kurti-Osmani, të cilët vunë në pikëpyetje të arriturat e deritanishme të institucioneve tona për ta shtrirë sovranitetin, vendosjen e pushtetit gjyqësor dhe instaluar rendin e sigurinë”, thuhet në komunikatë.
PDK-ja i quan Kurtin e Osmanin “aventurierë” të cilët "nëpërkëmbin të arriturat e Kosovës".
“Kjo që pamë sot, është poshtërim i këtyre dy aventurierëve që për qëllime të ulëta politike, i nëpërkëmbin të arriturat e vështira të shtetit të Kosovës të ngritur mbi sakrificën e popullit tonë dhe luftën e UÇK-së”, theksohet në komunikatë.
"Republika jonë ka nevojë për liderë të fuqishëm, që nuk shkojnë në pjesën veriore për një fotografi në kohë zgjedhjesh siç bën Kurti e Osmani, por për ta ushtruar pushtetin shtetëror dhe që mundësojnë lirinë e lëvizjes, prosperitetit e të ardhmes të të gjitha komuniteteve që jetojnë në atë pjesë. Partia Demokratike e Kosovës ka dëshmuar në të kaluarën se është e vetmja që ka fuqinë, vizionin e guximin për ta shtrirë rendin kushtetues në të gjithë Kosovën. E ka bërë në vitin 2011 me hyrjen e njësive speciale në veri; me 2012 kur ndaloi vizitën e presidentit serb Nikoliq; me 2017 duke ndalur trenin dhe më 2018 me arrestimin e Marko Gjuriqit që hyri pa leje në Kosovë. Më shumë se kurrë, qytetarët e Kosovës duhet t’i besojnë programit të rimëkëmbjes në këto zgjedhje për forcim të shtetit, përfundimin e dialogut me njohjen nga Serbia dhe fuqizimin e raporteve me miqtë ndërkombëtarë. Me 14 shkurt, qytetarët e Kosovës do t’i thonë jo politikanëve aventurierë, të rrezikshëm, të pa përvojë dhe pa guxim. Në këto zgjedhje, do të fitoj partia e shtetndërtimit dhe e rimëkëmbjes së Kosovës", ka përfunduar PDK-ja në këtë reagim./Zëri