Hoxhaj në Pejë: Sektorin privat do ta mbështesim me 1 miliard euro

Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kandidati për kryeministër, Enver Hoxhaj, ka qëndruar sot në Pejë, ku ka prezantuar planin e Rimëkëmbjes.

Hoxhaj ka vizituar fabrikën për prodhimin e ëmbëlsirave "Sedefi", fabrikën e tekstilit "Artatex", si dhe bizneset në Çarshinë e Gjatë, nga ku tha se Qeveria e udhëhequr nga ai do të krijojë lehtësira për bizneset private në vend.

Gjatë këtij takimi Hoxhaj ka theksuar se PDK-ja i sheh bizneset si partnerë dhe në planin e Rimëkëmbjes parashihet se sektori privat do të mbështetet me fond prej 1 miliard eurosh, ku 500 milionë euro janë të dedikuara për bizneset.

Po ashtu, Hoxhaj ka thënë se gjatë mandatit si kryeministër do të rritet edhe paga minimale nga 170 në 300 euro.

"Sot kam qenë në komunën e Pejës, ku vizitova industrinë e tekstilit dhe industrinë ushqimore dhe kjo flet që në Kosovë do të duhej të mbështetej shumë prodhimi i brendshëm, sa për treg të brendshëm, po aq edhe për treg të jashtëm. Ne do të ofrojmë lehtësira fiskale dhe mbështetje konkrete përmes granteve, meqë një pjesë e ndërmarrjeve janë goditur për shkak të pandemisë dhe sektori privat do të jetë njëri prej prioriteteve kryesore të Qeverisë që do ta udhëheq unë pas 15 shkurtit", ka thënë ai. /Zëri