Kusari – Lila prezanton planin e LVV-së për zhvillimin e teknologjisë informative

Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për deputete, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se LVV e sheh të rëndësishme avancimin e teknologjisë informative.

Kusari-Lila ka thënë se zhvillimi i teknologjisë informative është shumë i rëndësishme, transmeton Telegrafi.

“LVV e sheh dhe e ka parë në vazhdimësi të domosdoshme avancimin në këtë sektor, e që është shumë me peshë. Është industri e domosdoshme për zhvillimin e të gjitha industrive tjera, qasja e zhvillimit të teknologjisë informative është qasje ndër sektoriale dhe jo vetëm për industritë por edhe për shërbimet e shtetit”, ka thënë Kusari-Lila gjatë tryezës ku po diskutohet për digjitalizimin.

Kusari – Lila ka theksuar se Kosovës gjatë pandemisë i ka munguar stimulimi i sektorit të teknologjisë informative.

“Ajo që i ka mungu shtetit të Kosovës në këtë periudhë të pandemisë është fokusi në stimulimin edhe të sektorëve të teknologjisë informative drejtpërdrejt, si pjesë e pakos emergjente. Pandemia në mbarë botën ka treguar se ofrimi i shërbimeve online, digjitalizimi, është parandalim për përhapjen e virusi”, ka pohuar ajo.

Ajo ka prezantuar edhe planin e LVV-së, sa i përket zhvillimit të teknologjisë informative.

Ndryshe, ICK, Telegrafi dhe STIKK, kanë organizuar një tryezë ku po diskutohet mbi digjitalizimin dhe inovacionin me partitë politike.