Hoxhaj dhe Tahiri takojnë studentët e Juridikut: Do ta luftojmë krimin e organizuar dhe pasuritë e fituara kundërligjshëm do t’i konfiskojmë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kandidati për kryeministër, Enver Hoxhaj, së bashku me kandidatin për deputet, Abelard Tahiri, sot janë takuar me studentët e dalluar të Fakultetit Juridik, para të cilëve kanë prezantuar planin e PDK-së për sigurinë dhe drejtësinë.

Hoxhaj ka vlerësuar se data 14 shkurt do të jetë vendimtare për fillimin e planit të luftës kundër krimit të organizuar dhe në veçanti konfiskimit të pasurisë së fituar me aktivitet kriminal. Madje, sipas kësaj partie, në këto zgjedhje janë dy koncepte, ajo që respekton institucionet e pavarura të Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, e cila i linçon këto të fundit.

“Nuk ka shtet të suksesshëm dhe funksional pa sundim të ligjit. Nuk ka as demokraci dhe as shtet pa sundim të ligjit. Dhe në këto zgjedhje ka dy koncepte, një koncept i cili e respekton sundimin e ligjit, i cili e respekton ligjet e Kosovës dhe institucionet e pavarura të Kosovës. Dhe një koncept tjetër nga LVV-ja, e cila i linçon institucionet e pavarura të Kosovës, e cila nuk e respekton sundimin e ligjit dhe e cila është e interesuar që ta përmbys sistemin tonë juridik dhe politik në Kosovë”, ka thënë ai.

Ndërsa, Abelard Tahiri ka theksuar se programi i PDK-së në fushën e drejtësisë do të japë rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar.

“Deklaruam edhe konceptin e ri të deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë publik, mënyrën e verifikimit të pasurisë së tyre. Në mënyrë që të mos lejojmë kurrfarë abuzimi me paranë publike dhe çështjet tjera, po ashtu edhe aspektin e përmirësimit, ndryshimit të drejtësisë penale, e cila mundëson ndjekje efikase të të korruptuarve, kriminelëve, trafikantëve, atyre që merren me fajde dhe haraç. Pra, ne kemi një angazhim konkret të cilin sot e prezantuam para studentëve të Fakultetit Juridik”, ka thënë ai.