Hoti: Me buxhetin për vitin 2021 do të vazhdojmë përkrahjen për bizneset

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti ka vizituar sot fabrikën “MitroPlast”, që mirret me prodhimin e dyerve dhe dritareve.

Gjatë kësaj vizite, Hoti theksoi se pas krijimit të pakos së rimëkëmbjes për të ndihmuar bizneset, përkrahja do të vazhdohet edhe me buxhetin e vitit 2021.

“Sfida e pandemisë ka qenë e rëndë për çdo biznes. Kemi krijuar pakon e rimëkëmbjes për të ndihmuar bizneset dhe me buxhetin për vitin 2021 do të vazhdojmë përkrahjen. Buxheti i parë që është ndarë nga qeveria e Republikës së Kosovës ka qenë 60 milion euro dhe nuk ka pasur fare procedura burokratike. Vaksinat që së shpejti do të vijnë në Kosovë do ta stabilizojnë gjendjen dhe do të hapet rruga pë të vazhduar punën e rregullt për biznese”, citohet të ketë thënë Hoti.

Ai theksoi se me pakon dhe ligjin për rimëkëmbje, me qasjen më të lehtë në fondin për garanci kreditore është ndihmuar që bizneset të vazhdojnë punën dhe të mos largohen punëtorët nga puna. /Zëri